Lakersat e Brooklyni në krizë
Los Angeles Lakers vazhdojnë të humbasin pozicione në renditjen e sezonit të rregullt në NBA.
Skuadra e Frank Vogel u shfaq shumë e vogël në derbin ndaj Los Angeles Clippers duke vuajtur mungesën e dyshes LeBron James-Denis Schroder. Lakersat u mposhtën lehtësisht nga Clippersat në “Staples Center” me rezultatin e thellë 118-94, në një duel të dominuar nga skuadra e trajnerit Tyron Lue nga minuta e parë e deri në atë të fundit.
Lakersat me këtë humbje zbritën në vendin e 6-të dhe tashmë kërcënohen nga Portland Trail Blazzers për të zbritur akoma më poshtë, dhe nëse kjo ndodh do ta nisin aventurën në “play-off” që nga raundi i parë. Paul George me 24 pikë dhe Kawhi Leonard me 15 pikë ishin dy më të mirët mbi parket për Clippersat ndërkohë që te Lakersat të cilët humbën edhe shërbimet e Anthony Davis i cili u aktivizua për vetëm nëntë minuta, spikati Kyle Kuzma me 25 pikë.
Dallas Mavericks u mori vendin e 5-të kampionëve në fuqi të NBA në renditjen e Konferencës së Perëndimit pikërisht falë suksesit të ngushtë 113-109 ndaj Brooklyn Nets.
Në krizë rezultatesh skuadra nju-jorkeze që tanimë nuk ka pothuajse fare shanse për të kapur vendin e parë në Lindje pasi pësoi humbjen e 4-t rresht. Në American “Airlines Center”, Kyrie Irving ishte thjeshtë fenomenal me 45 pikë, 5 rebound dhe 4 asistime të pamjaftueshme gjithsesi për të evituar humbjen. Për Mavericks, Luka Donqiq me 24 pikë 10 rikuperime poshtë tabelës dhe 8 asistime ishte më i miri mbi parket.
Mbetet në pozita komode edhe Golden State Warriors që falë suksesit të thellë me shifrat 118-97 ndaj Oklahoma City Thunder blindoi vendin e 8-të në Perëndim. Stephen Curry shkëlqeu në këtë sfidë me 34 pikë të realizuara në total. Ndeshja më spektakolare e mbrëmjes së NBA u luajt në “Amalie Arena” dhe ishte ajo mes Toronto Raptors dhe Washington Wizards e fituar nga kryeqytetasit pas kohës shtesë me rezultatin 131-129. 44 pikë 11 rebound dhe 7 asistime koleksionoi kamerunasi Pascal Siakam për skuadrën kanadeze, por në fund festuan Bradley Beal e Rusell Westbrook me këtë të fundit që koleksionoi një tjetër triple-double. /SS/