Lakersat mposhtin Spursat, Golden State ndalet nga Charlotte
Charlotte Hornets e ndali Golden State duke e mposhtur me rezultat 106-102. Warriors pësuan disfatën e parë pas shtatë fitoresh radhazi dhe të dytën sezonale, edhe pse mbetet në krye të klasifikimit të Konferencës së Perëndimit.
Hornets bënë një ndeshje të madhe duke thyer ekuilibrat vetëm në finale, kjo pasi në pushimin mes pjesëve rezultatit ishte në barazim 57-57, ndërsa në fund të periodës së tretë Warriors kryesonin me 1 pikë, 88-87. Ishte rezultati i pjesshëm 19-14 i periodës së fundit bëri që fitorja të shkonte për vendasit që arritën suksesin e tretë radhazi.
Formacioni i Kerr u mposht pavarësisht 28 pikëve të Wiggins dhe 24 nga Steph Curry, ndërsa Charlotte i gëzohet plot 6 realizuesve në shifër të dyfishtë, prej të cilëve 3 me të paktën 20 pikë, Bridges, LaMelo Ball dhe Rozier. Në këtë mënyrë Hornets konfirmohen në zonën “play-off”. Bien ndërkohë edhe kampionët në fuqi. Falë një super Trae Young, Atlanta Hawks ringrihet pas gjashtë disfatave radhazi duke mposhtur me rezultat 120-100 Milwaukee Bucks. Për kampionët kjo ishte humbja e tetë në 14 ndeshjet e para të sezonit të rregullt. Hawks i bënë gjërat të qarta që në pjesën e parë, në përfundim të së cilës tabela e rezultatit tregonte 58-44 për të zotët e shtëpisë. Bucks, që rikthenin në pesëshen titullare Giannis Antentokounmpo pas mungesës në ndeshjen me Bostonin, provuan të rikthehen në lojë, por rezultati 31-23 i periodës së fundit shuajti çdo ëndërr përmbysjeje të formacionit të Budenholzer. Dominuesi absolut i ndeshjes ishte Trae Young që realizoi një double double me 42 pikë të shënuara dhe 10 asistime, duke shënuar 8 nga 13 tentativat për trepikësha. Një paraqitje e pabesueshme për të mposhtur kampionët në fuqi të cilëve nuk ju shërbyen 26 pikë, 5 rikuperime dhe 6 asistime të Antentokounmpo.
Vjen ndërkohë fitorja e tretë në katër ndeshjet e fundit për Los Angeles Lakers që mposhtën 114-106 San Antonio Spurs duke ju afruar ndjeshëm zonës “play-off”. Lakersat sërish pa Lebron iu gëzuan një super Anthony Davis që realizoi 34 pikë, 19 prej të cilave në periodën e parë, teksa koleksionoi edhe 15 rikuperime dhe 6 asistime.
Numra që ndihmuan mes fundit të periodës së parë dhe fillimit të së dytës për një rezultat të pjesshëm 15-0, që duke i shtuar edhe një fillim të shkëlqyer të periodës së tretë, ndihmuan Lakersat ti rezistonin tentativës për reagim të San Antonios. Formacioni i Popovich provoi deri në fund, i udhëhequr nga Dejounte Murray që realizoi shifra të dyfishta në të tre komponentët me 22 pikë, 10 rikuperime dhe 10 asistime, por pa sukses. Lakersat shkurtojnë kështu distancën me vendin e gjashtë duke ju afruar Clippersat. /SS/