Lakersat pësojnë humbje nga Golden State
Fitorja e 33-të sezonale për skuadrën kampione të Golden State, që mundi 130-111 Lakers, duke u hakmarrë për humbjen e pësuar për Krishtlindje.
Ndeshja e luajtur në Los Angelos u dominua nga miqtë, superior në fushë gjatë gjithë kohës, duke u shkëputur ndjeshëm në periodën e tretë. Mungesa e disa titullarëve, të dëmtuar, ndikoi në paraqitjen e Lakers, ku u dallua Zubaq me 18 pikë. Për Golden State u dallua Thompson me 44 pikë, ndërsa Durant e mbylli me 20 pikë.
Philadelphia mposhti me lehtësi 121-93 Houston, përballje mes dy ekipesh pretendente për titull në Konferencat përkatëse. Ndonëse pritej një sfidë më e fortë, skuadra teksane luajti dobët edhe pse Harden realizoi 37 pikë, por që mbetën për statistikë. Për Philadelphia u dallua Embiid me 32 pikë e 14 rebound. Fiton edhe skuadra e Boston, që falë 26 pikëve e 10 asistime të Kyrie Irving mposhti 107-99 Miami, ndërsa New Orleans triumfoi 105-85 në fushën e Memphis (Hiliday e Mirotiq nga 21 pikë secili).
Milwaukee vijon të dominojë renditjen në Konferencën e Lindjes, duke fituar edhe sot, 116-106 ndaj Dallas, sfidë ku vendasit u shkëputën në periodën e fundit. Antetokounmpo me 31 pikë e 15 rebound ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes. Nuk zhgënjen Oklahoma, që triumfoi 127-109 në fushën e New York, sfidë ku u dallua Paul George, autor i 31 pikëve. Në minutat e fundit triumfon Portland, që mundi 109-104 Utah Jazz (Lillard 26 pikë), ndërsa Chicago mposhti 104-88 Cleveland (LaVine 25 pikë). /Telesport/
Rezultatet
New York – Oklahoma 109-127
Cleveland – Chicago 88-104
Milwaukee – Dallas 116-106
Washington – Detroit 101-87
Atlanta – Orlando 103-122
Brooklyn – Sacramento 123-94
Memphis – New Orleans 85-105
Boston – Miami 107-99
Philadelphia – Houston 121-93
Utah Jazz – Portland 104-109
Lakers – Golden State 111-130