
Lakersat të pandalshëm, Bostoni regjistron fitoren e pestë
LeBron James bëri diferencën mbi parket në fitoren me përmbysje të Los Angeles Lakers 112-118 në fushën e Chicago Bulls, duke realizuar “triple double” e radhës: 30 pikë, 11 asistime dhe 10 rikuperime në 35 minuta lojë.
Kalifornianët e bënë diferencën në periodën e fundit me një rezultat të pjesshëm 18-38, çka u dha mundësinë të festojnë suksesin e 6-të sezonal. Lakers janë të vetmit në Konferencën e Perëndimit me vetëm një humbje në këtë fillim sezoni.
Vijon momenti pozitiv edhe për Boston Celtics, që siguruan fitoren e pestë radhazi, pasi iu imponuan Cleveland Cavaliers me rezultatin 119-113, falë paraqitjes mbresëlënëse të Gordon Hayward, që barazon rekordin personal me 39 pikë të shënuara me fanellën e Celtics. Fitore e lehtë për Denver Nuggets, që e mbyllën takimim me Miami Heat me 20 pikë diferencë, 109-89. Shënuesi më i mirë rezultoi Jamal Murray me 21 pikë, por shumë i rëndësishëm ishte edhe “double double” i Will Barton (15 pikë dhe 10 “rebound”, raporton “Supersport”.
Vjen fitorja e tretë radhazi për Charlotte Hornets, që fituan pas kohës shtesë 122-120 ndaj Indiana Pacers. Vendimtar në këtë sukses të skuadrës, që është në pronësi të Michael Jordan, Devonte Graham, autor i 35 pikëve. Për Pacers rezultuan të pamjaftueshme 33 pikët e TJ Warren dhe 31 të Malcolm Brogdon. Oklahoma City Thunder fituan ndaj Orlando Magiq për 102-94, falë 24 pikëve të Shai Gilgeous-Alexander dhe 20 të Chris Paul. Krizë rezultatesh për Magic, të cilët pësuan humbjen e tretë radhazi. Pësuan humbjen e dytë radhazi San Antonio Spurs, që këtë radhë u dorëzuan në parketin e Atlanta Hawks 108-100. Vendimtar rezultati i periodës së fundit (38-22) në favor të Hawks, të udhëhequr nga Trae Youngm autor i 29 pikëve dhe i 13 asistimeve.
Rezultatet
Charlotte Hornets – Indiana Pacers 122-120
Cleveland Cavaliers – Boston Celtics 113-119
Atlanta Hawks – San Antonio Spurs 108-100
Chicago Bulls – Los Angeles Lakers 112-118
Oklahoma City Thunder – Orlando Magic 102-94
Denver Nuggets – Miami Heat 109-89