Lakersat triumfojnë ndaj Memphisit, Denveri pëson humbjen e parë
Los Angeles Lakers e kanë tashmë thjesht një kujtim të hidhur humbjen në ndeshjen e parë të sezonit të rregullt ndaj Los Angleges Clippers.
Të udhëhequr nga dyshja James-Davis, kalifornianët morën fitoren e tretë radhazi përballë Memphis Grizzlies, që mundën të rezistonin vetëm në pjesën e parë, për t’u dorëzuar më pas pa kushte për rezultatin përfundimtar 120-91. I papërmbajtshëm Andhtony Davis me 40 pikë dhe 20 “rebound”, ndërsa “Mbreti” James u kënaq me vetëm 23 pikë dhe 8 asistime. Në radhët e skuadrës nga Tennessee, shënuesi më i mirë rezultoi Morant me 16 pikë. 16 herë kampionët e NBA renditen të tretët në Perëndim me 3 fitore dhe 1 humbje, ndërsa me Grizlies ndodh e kundërta, pasi kanë koleksionuar 1 fitore dhe 3 humbje.
Vjen humbja e parë sezonale për Denver Nuggets pas 3 suksese radhazi. Ua shkaktoi Dallas Mavericks me rezultatin 106-109, duke nxjerrë në pah problemet që ishin evidentuar edhe më parë, por që fitoren e fillimsezonit i kishin fshehur. Skuadra nga Colorado dominon sa u përket pikëve të shënuara nga 5-shja titullare (84/50), por disfata është neto kur bëhet fjalë për pikët e lojtarëve të stolit. Kjo dallohet qartë edhe te statistikat, ku 4 pikëshënuesit më të mirë të sfidës janë të Denverit, me më të mirin Millsap me 23 pikë. Atlanta Hawks nuk u mjaftoi Jonh Collins, që rezultoi më i miri mbi parket me 30 pikë, pasi u mposht 112-97 nga Miami Heat. Për skuadrën nga Florida spikati Tylor Herro me 29 pikë, ndërsa Goran Dragiq shtoi edhe 21 pikë të tjera. /SS/