Lakersat u rikthehen fitoreve
Los Angeles Lakers rikthehet te fitorja dhe e bën këtë me shifrat 104-112 në transfertën e “Target Center” ndaj Minnesota Timberwolves. Vetëm dy ditë pas humbjes me Denver Nuggets, kalifornianët reagojnë në mënyrën më të mirë, ndonëse duhet pranuar se suksesi në Minnesota nuk ishte aspak i lehtë.
LeBron James ishte protagonist për Lakersat, pasi arriti të shënojë 30 pikë, të rikuperojë 13 topa dhe të japë 7 asistime, ndërsa ylli tjetër i skuadrës Anthony Davies vijon të qëndrojë jashtë parketit për shkak të një dëmtimi, raporton “Supersport”.
Vijon të bëjë mirë edhe Brooklyn Nets, që mposhti Phoenix Suns me shifrat 124-128 në një nga sfidat më spektakolare të javës. James Harden ishte protagonist i padiskutueshëm i Nets, me 38 pikë të shënuara, 7 rikuperime dhe 11 asistime, duke kontribuar në përmbysjen spektakolare.
Phoenixi e nisi në mënyrë perfekte ndeshjen dhe kur kishte mbaruar gjysma e lojës, vendasit kryesonin me rezultatin e thellë 75-55, megjithatë reagimi i Brooklyn ishte fantastik në gjysmën e dytë, pasi ia dolën të përmbysin gjithçka dhe të marrin fitoren e katërt radhazi.
Ka fituar edhe Portland Trail Blazers, që iu imponua Ocklahoma City Thunder me shifrat 104-115 dhe regjistroi suksesin e pestë radhazi në kampionat, që vijon ta ngjitë në renditje. Lillard ishte protagonist i Trail Blazers me 31 pikë të shënuara, 7 rikuperime dhe 10 asistime.
Në sfidat e tjera Boston Celtics mposhti Denver Nuggets me shifrat 112-99, New Orleans Pelicans triumfuan me rezultatin e thellë 113-144 dhe Toronto Raptors mposhti Milwaukee Bucks me shifrat 113-124.