Lakersat u rikthehen fitoreve, shkëlqen LeBron
Tri ditë pas humbjes së dhimbshme ndaj Golden State Warriorsit në “Staples Center”, ekipi i Los Angeles Lakersit u rikthye shpejt në rrugën e fitoreve, duke mundur me shtatë pikë brenda në “Wisconsin” Milwaukee Bucks.
Ditën e martë ekipi i drejtuar nga trajneri Frank Vogel shpërdoroi epërsinë e plot 19 pikëve, por këtë herë kampionët në fuqi nuk përsëritën më të njëjtat gabime dhe zhvilluan një ndeshje vërtet shumë të mirë ndaj një kundërshtari si Milwaukee Bucks, që konsiderohet ekipi i dytë më i fortë në gjithë Konferencën e Lindjes, pas vetëm Brooklyn Netsit.
Në “Fiserv Forum” vendësit u shkëputën deri në +6, megjithatë ky ishte maksimumi që mundi të bënte ekipi i drejtuar nga trajneri Mike Budenholzer, pasi Lakersat u rikthyen për ta marrë kontrollin e ndeshjes që në fundin e pjesës së parë. “Liqenorët” shkuan në interval me avantazhin 63-57, dhe ekipi kalifornian nuk e ktheu më kokën pas, për ta mbyllur krejt takimin me fitoren 113-106. “Mbreti” James shënoi 34 pikë në 38’ që qëndroi në parket.
Gjithsesi, LeBroni kontribuoi gjithashtu edhe me 6 topa të rikuperuar dhe 8 asistime, ndërsa lojtari më i vlefshëm i dy sezoneve të fundit, Giannis Antetokounmpo, e përfundoi takimin me 25 pikë e 12 rebounde për Bucksin. Spikati te Lakersat edhe Caldwell-Pope me 23 pikë në 27’, 21 prej të cilave nga jashtë harkut me gjuajtje për tri pikë, ndërkohë ylli tjetër i skuadrës Anthony Davisit e mbylli mbrëmjen me 18 pikë e 9 rebounde. Pavarësisht kësaj disfate të pësuar, Milwaukee kryeson Divizionin Qendror në Lindje me 9 fitore e 6 humbje, ndërsa skuadra e Indiana Pacersit ndjek me 8 fitore e 6 humbje. Lakersat morën pa humbur kohë kryesimin në Konferencën e Perëndimit me 12 fitore e 4 humbje.
Kampionët në fuqi kanë bilancin më të mirë deri në këtë fazë të sezonit të rregullt, që gjithsesi nuk është pak, por tregon qartë se Lakersat janë favoritë për ta mbrojtur titullin, pavarësisht rritjes apo konfirmimit të ekipeve si Brooklyn Nets, Los Angeles Clippers e Milwaukee Bucks. Vlen të theksohet fakti që sezoni i rregullt këtë herë do të zhvillohet me 10 ndeshje më pak, pra do të përbëhet nga 72 sfida në total, sidoqoftë për momentin, kur po i afrohemi çerekut të sezonit të rregullt, kampionët në fuqi kryesojnë në Konferencën e Perëndimit me vetëm një fitore më tepër se dyshja Utah Jazz – Los Angeles Clippers, që ndjek aktualisht me 11 fitore e vetëm 4 humbje. Vetë “franchise” nga Salt Lake City u befasua fillimisht nga loja e mirë e New Orleans Pelicansit dhe Utah Jazzi e pa veten në disavantazhin e plot 16 pikëve në periodën e dytë të takimit.
Gjithsesi Utah reagoi mirë dhe avantazhin e vetëm në 12’ e dytë të ndeshjes Jazz e siguroi pikërisht në fundin e pjesës së parë, për të shkuar në interval me epërsinë minimale 70-69. Në vazhdim në Vivint Smart Home Arena, përpara 1 932 spektatorëve, Utah kontrolloi me qetësi takimin, për ta fituar gjithë ndeshjen me rezultatin 129-118. Lojtari më i mirë i takimit ishte Donovan Mitchell me 36 pikë të realizuara në 34’ lojë, ndërsa në krahun tjetër spikati si zakonisht 20-vjeçari tepër i talentuar nga Karolina e Veriut, Zion Williamson, me 27 pikë, sakaq lojtari i qendrës i Jazzit, francezi Rudy Gobert, kontribuoi me vetëm 12 pikë e 11 rebounde në diçka më pak se gjysmë ore lojë.
Ditën e martë Golden State ua përmbysi kampionëve në fuqi disavantazhin e plot 14 pikëve pikërisht në periodën e fundit, megjithatë në ndeshjen e radhës Warriorsi u thye brenda në shtëpi me 15 pikë diferencë nga New York Knicksi. Në San Francisco, në “Chase Center”, vendësit kryesuan në fillim 8-7. Sidoqoftë, ky ishte edhe avantazhi i fundit për skuadrën e drejtuar nga trajneri Steve Kerr. Miqtë dominuan takimin deri në fund për ta mbyllur përfundimisht takimin me fitoren 119-104.
Fitorja e tretë rresht për ekipin e drejtuar nga trajneri Tom Thibodeau, që tani numëron 8 fitore dhe 8 humbje në Divizionin e Atlantikut, ku gjithsesi rivaliteti është vërtet shumë i madh me 76ers, Celticsi apo dhe Netsi. Steph Curry ishte përsëri pikëshënuesi më i mirë i mbrëmjes me 30 pikë në 35’ lojë, ndërsa në krahun tjetër ra në sy 20-vjeçari kanadez RJ Barrett që realizoi 28 pikë.