Lakorja e fatit njerëzor

01 gusht 2024 | 09:18

ALBIN MEHMETI 

(këndvështrim për veprën “Lakorja e fatit” të Adem Gashit)

Binomi i emrit Adem dhe i numërorit i pari

Adem…

Adem ishte njeriu i parë sipas feve abrahamike. Adem ishte prijatari i lëvizjes së madhe kombëtare shqiptare. Adem ishte kryekomandanti i cili ndryshoi rrjedhat e historisë. Adem, Adem, Adem… Sikur ky emër ndërlidhet me njëshin dhe numërorin i pari. Radha e Ademëve të parë vazhdoi edhe përtej njeriut të parë, ideologut të parë e të parit komandant. Edhe një Adem ishte i pari, por kësaj radhe Ademi i letërsisë. Sapo ta dëgjojmë emrin Adem letrari na bie ndër mend emri i Adem Gashit. Adem poetit. Mbase kritikët do të thonë ky nuk është një fillim i mbarë i një recensioni letrar. Shumë eseistike do të thonë të dytët. Mbase të tretët do të thonë se kjo është shumë patetike. Mbase kanë të drejtë edhe të parët, edhe të dytët, edhe të tretët. Mbase nuk kanë të drejtë asnjë nga ta. Kanë të drejtë ata apo kam të drejtë unë, ka pak rëndësi. Rëndësi ka emri i tij, Adem Gashi.

Adem Gashi, shkrimtari i majave poetike, na la para pak kohësh, por pas vetes la shumë. La poezi të cilat janë bërë emblemë e letërsisë shqipe. La tekste këngësh të cilat këndohen nga i madh e i vogël. Por, Adem poeti ishte shkronjës i mirë edhe i prozës, qoftë ajo prozë e gjatë a prozë e shkurtër. Një nga veprat e tij të fundit në përgjithësi dhe e fundit në prozë ishte “Lakorja e fatit”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”. Në këtë libër me tregime, që vetë autori e quajti libër me tregime, rrëfenja e parabola, na flet shumë për realen, arealen e surrealen.

Lakorja e fatit njerëzor, aty ku realja takohet me irealen

Libri “Lakorja e fatit” është i ndarë në tri cikle, i paraprirë nga një tregim që, mbase, mund të jetë edhe çelësi i kuptimit të të gjithë librit. Tregimi Pëllumbi i paqes është rrëfim për dhe rreth pëllumbit. Shpeshherë këtu autori ngre dilemën se a është në të vërtetë pëllumbi simbol i paqes. Këtu autori ngre dilema të mëdha në ato se çfarë kanë caktuar njerëzit si simbole. Dikur, në rrethana normale, libri është simbol dije, por jo edhe libri në këtë tregim. Tani libri ka një rëndësi tjetër, atë të shërbimit për ngrohje e jo për dije. Mbase këtu Adem Gashi thotë se ç’nevo­jitet dija, kur atë dije nuk ke ku dhe kujt t’ia transmetosh. E gjithë ngjarja e këtij rrëfimi ecën para përmes dialogut në mes të njeriut dhe pëllumbit. Në këtë dialog, që shpeshherë mund ta shohim edhe si monolog mes dy uneve të njeriut, e kemi të pranishme trininë e tragjedisë: urinë, burgosjen e tragjedinë. Kjo trini e tragjedisë do të jetë e pranishme thuajse në të gjitha tregimet e parabolat e mëtejme brenda kësaj përmbledhjeje, e sidomos në ciklin e parë. Epilogu i këtij tregimi është prolog i ciklit të parë të këtij libri.

Në ciklin Terr, i ndarë në tri rrëfime, kemi paraqitjen e një periudhe të rëndë e të vështirë për Adem Gashin si narrator, personazh e autor. Kjo periudhë që, para se të jetë periudhë e vështirë personale, na del të jetë periudhë e rëndë kolektive. Tregimi Lufta me tri pamje është i ndarë në tri pjesë. Tregon fatin e tri personazheve të njohura historike dhe politike: Ibrahim Rugovës, Adem Demaçit dhe Rexhep Qosjes, të cilët përballen me sfidën e përballjes me armikun. Këto përballje dallojnë njëra prej tjetrës, por që të tria rrëfimet kishin emëruesin e përbashkët: sfidën sesi do t’i gjykojë historia dhe masa për veprimet a mosveprimet e tyre. Tregimi Tregim për tregimin pararendës fillon me luftën e autorit me kritikët, të cilët e kriti­kojnë se ai nuk di të shkruajë tregime. Mbase, siç vëren edhe autori, por edhe një lexues i rëndomtë semantik, shihet se kriti­kat nuk qëndrojnë tek estetika, por te politika. Tregimi Krye­qyteti në shtetrrethim është rrëfim i ndarë në katër pjesë që tregon katër anë të periudhës së bombardimeve. Në pjesën e parë Mëngjes koti është tabloja e një qyteti të shkatërruar, ende jo materialisht, por emocionalisht. Këtu prishtinasit gjenden në një rrethim të hekurt dhe apokaliptik. Tani kufiri në mes të imagjinares dhe reales është kufi i vogël, mbase inekzistent. Pizgavuerët u ngjajnë urithëve, të cilët me vete sjellin kumtin e vdekjes. Lagjja e vreshtave paraqet një episod tjetër, ku kemi të paraqitur pamjen e dyerve të serbëve, në të cilat janë shkruar katër C (S), si shenjim e shenjëzim që ato shtëpi mos të preken nga barbaria. Pikërisht në këtë lagje kemi një episod, ku tre personazhe aktori, shkrimtari dhe aktori i teatrit të kukullave pinë verë, derisa të tjerët kishin frikën e jetës. Këtu autori paraqet absurditetin e jetës, ku tema e jetës, vdekjes dhe pyetjes pse jetojmë është e pranishme gjatë gjithë këtij rrëfimi. Te pjesa Kodra e trimave kemi praninë e atyre që Adem Gashi u thuri këngët më të bukura, djemve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu kemi praninë e guerilëve të UÇK-së, që autori i quan dalzotës të vendit, të cilët morën si detyrë mbrojtjen e shtresës intelektuale, e cila po rrezikohej dita-ditës. Këtu kemi edhe përmendjen e dy personazheve reale, Latif Berishës dhe Agim Hajrizit, të cilët u vranë në natën e fillimit të bombardimit të NATO-s. Në pjesën Lagjja e Dardanisë kemi përmendjen e një fakti real, atë të listës së intelektualëve, e cila ishte përpiluar nga shërbimi sekret serb për t’u vrarë. Këtu kemi të pranishme dile­mën e madhe të njeriut, se pse vret njeriu dhe si mund gjithë kjo jetë të ikën vetëm prej një shkrepje plumbi. Këtu mbyllet tregimi për kryeqytetin e rrethuar, i cili ende nuk shihte dritë, por që brenda këtyre rreshtave kishte shpresë, e shpresën e solli lufta, që autori e quan lufta në formatin e luftës te Bjeshkët e Nemuna e te Rrasa e Zogut.

Më tej, në këtë cikël tregimesh, parabolash e antidramash paraqitet një autor e narrator tjetër. Tani kemi Adem Gashin i cili zbret nga niveli i dhimbjes në nivelin e reales. Në tregimin Historia e dhimbshme dhe tragjike e Kones leshradredhur Erendirë dhe e sojit të saj kemi shpjegimin e historisë së botës dhe njerëzimit përmes qenve. Autori sikur dëshiron të shpjegojë se njeriu mori nga qeni aq sa qeni mori nga njeriu. Përmes historisë së një azili që do të krijohej për qentë, autori sikur sheh dëshpërimin në sytë e Kones, vuajtje që po i shkaktonin ata që pretendonin se shpërndanin dashuri. Narratori aq sa ndien dhimbje për kaf­shën, ndien aq frikë për vetveten. Përmes një pyetje retorike: Ç’azil më pret vallë?[1], Gashi krijon teatrin modern të jetës, i ngjashëm me teatrin antik dhe konceptin modern e postmodern të katarsisit.

Te tregimi Pëllumbat e diktatorit kemi antitezën mes tiranisë dhe lirisë. Përmes kësaj parabole që merr edhe shenjat e satirës politike, kemi praninë e pëllumbave, të cilët burgosen, vetëm e vetëm që lideri t’u ofrojë më pas atyre lirinë. Por, pëllumbat, mbase të mësuar me robërinë e kafazit, nuk e duan lirinë. Për ta liria është vdekje e vdekja është liri. Andaj, ata nuk e duan qiellin, ashtu siç nuk e do robi njeri lirinë. Këtu autori hedh një ide të madhe, se njeriu është rob i vetvetes dhe se ai me duart e veta krijon tiraninë dhe burgos vetveten. Për Adem Gashin njeriu është pa ideal, dhe se ideali kolektiv i njeriut modern përfundon aty ku fillon interesi personal i tij. Në tregimin Dita pa gjâ, ideali i të riut që dëshiron të bëjë revolucion, ndalet e stagnohet nga një epsh momental. Në tregimin Nga një dritare tregohet sesi njeriu projekton gjëra areale dhe të paqena që shpeshherë e tejkalojnë imagjinaren dhe absurden. Nëpërmjet rrëfimit shihet sesi njeriu ëndërron për të ardhmen e tij në gjëra që i ka projektuar mbi shpresa dhe projeksione të kureshtjes së sëmurë. Njeriu i Adem Gashit në këtë cikël është në kërkim të vetvetes, por i mbytur në detin e absurdit, ku kuptimin e jetës e përcaktojnë kanonet shoqërore, shpeshherë të kodifikuara në skutat e njerëzve të pushtetshëm.

Cikli i fundit përbëhet nga tri parabola. Në këto parabola paraqitet fati individual i autorit që mëton të bëhet fat kolektiv i gjithë popullit. Tek Arkivi i familje sime autori hyn në historinë familjare për t’u bërë narrator brenda lirikës, ku dominon narrativa emotive, në të cilët tregohet rruga e gjatë shekullore e ndërrimi i pushtuesit, të cilët ndërrojnë vetëm emra.

Përfundim

Me fjalë të tjera, Adem Gashi me këtë vepër dhe me detin e thellë të krijimtarisë së tij ka arritur të shndërrohet nga shkrim­tar në simbol. Në këtë vepër ai trajton jetën në tri rrafshe, në rrafshin individual, tek parabolat e fundit, ku paraqet jetën e tij përmes lirikës; paraqet rrafshin nacional në pjesën e parë të tregimeve, kurse temën universale të jetës dhe absurdit të saj e paraqet në pjesën e dytë të veprës. Adem Gashi padyshim që do të mbetet shkrimtari rebel, i cili theu kufijtë letrarë duke i dhënë letërsisë shqipe një imazh ndryshe. Adem Gashi, si një shkrimtar rebel, i rezistoi fuqishëm çdo ideologjie, pa marrë parasysh gjuhës që fliste ideologjia. Adem Gashi nga fillimi deshi të shkruajë letërsi, jo ideologji. Ai fliste përmes artit dhe për artin, andaj ishte dhe do të mbetet poeti i majave.

[1] Adem Gashi, Lakorja e fatit, Armagedoni, Prishtinë, 2020, f. 50

Marrë nga numri 21 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
George Orwell Ideja themelore e këtij libri për herë të…