Lama thotë se në VV ende ka aktivistë që i përkasin grupeve radikale
Këtë të premte në emisionin “Dhoma e Rrëfimit” ishte ish ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama.
Lama duke rrëfyer për jetën e saj personale ka treguar se pse vendosi të vinte dhe të jetonte në Kosovë.
Pasi dha një kontribut të jashtëzakonshëm në gazetari, ajo ju fut politikës. Fillimisht në Lëvizjen Vetëvendosje me të cilën pas një kohe të shkurtër i ndau rrugët.
Lama përderisa shpjegon pse është larguar nga kjo parti, thotë se nuk është penduar asnjëherë.
“Nuk jam penduar që nuk jam në Vetëvendosje. Unë jam një nga ata personat kur Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit i ka besuar atëherë kur nuk dihej fare nëse do hynte në parlament, nuk kam pas asnjë lloj interesi krahasuar me sot kur e dinin të gjithë se do fitonte dhe vraponin pas tij. Kam besuar në vizionin dhe kam pasur dëshirë që përmes një lëvizje të re të jap kontributin tim në shoqëri. Pasi kam hyrë kam parë që qëndrimet e tyre dhe të mijat janë diametralisht të kundërta sidomos lidhur me ideologjinë e tyre që nuk pajtohem, ishte e ekstremit të majt edhe pse tani po thonë se janë moderuar. Ishin metodat e dhunës që i përdornin për mua ishin të papranueshme”, ka deklaruar Lama.
Ajo thekson se Vetëvendosje vazhdimisht flirtonte me islamin radikal.
“Një ndër arsyet ka qenë orientimi properëndimor i imi dhe flirtimi i tyre me islamin radikal kjo ka qenë tërësisht e dukshme sepse kur unë u sulmova në mënyrë brutale nga këto lloj grupesh lideri i VV-së i mbrojti ata e jo mua. Nuk kishte më aty asnjë mënyrë për të vazhduar. Aktivistë të VV-së i përkasin ende këtyre grupeve radikale”.