LambdaLambdaLambda hapë galerinë e dytë në Prishtinë
Galeria e parë ndërkombëtare për art bashkëkohor në Prishtinë, LambdaLambdaLambda ka hapur hapësirën e dytë ekspozuese.
E quajtur LambdaLambdaLambda² kjo hapësirë ndodhet në objektin ‘Mekanizimi’ në Rrugën Fehmi Agani dhe do të hapet për publikun më 20 korrik nga ora 12:00 deri me18:00, me ekspozitën grupore Nothing like home II ku marrin pjesë Blerta Hashani, Brilant Milazimi dhe Dardan Zhegrova.
Paralelisht me ekspozitën grupore Nothing Like Home II, në galerinë kryesore LambdaLambdaLambda hap ekspozitën tjetër titulluar Newborn nga artisti francez Bruno Serralongue. Newborn hapet të mërkurën, 20 korrik nga ora 18-21.
Galeria LambdaLambdaLambda është hapur për herë të parë në vitin 2015, për të ofruar një ambient të përshtatshëm për art, eksperimentim, diskutim dhe mësim, sidomos përmes përvojave të bashkëpunimit mes artistëve ndërkombëtarë dhe atyre vendorë.
Nga viti 2015 deri më sot, LambdaLambdaLambda ka hapur 36 ekspozita në galerinë kryesore në Prishtinë. Përveç kësaj, Galeria Lambda është pjesëmarrëse e rregullt e panaireve ndërkombëtare të artit si Art Basel, frieze, Fiac dhe të tjera. Në tetor LambdaLambdaLambda do të marrë pjesë në Paris+, Panairi i Parë i Art Basel në Paris.
LambdaLambdaLambda u themelua dhe drejtohet nga Isabella Ritter dhe Katharina Schendl.