Lambrecht takohet me Mehajn: Pa paqe në Ballkan nuk ka qëndrueshmëri në Evropë
Ministrja gjermane e Mbrojtjes priti në takim pune homologun kosovar, Armend Mehaj.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, priti të martën (6.02.) në Berlin, homologun e saj nga Kosova, Armend Mehaj. Siç bëjnë të ditur burime të DW pranë Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, në takim është biseduar për gjendjen në Kosovë dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
“Pa paqe në Ballkan, nuk ka stabilitet në Evropë“, shkroi ministrja Lambrecht pas takimit në një mesazh në Twitter: Ajo përshëndeti marrëveshjen e arritur kohëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovëspër rregullat e hyrje-daljeve. Por paralajmëroi se “do të duhet frymëmarrje e gjatë”.
Lambrecht siguroi mbështetjen e Gjermanisë në procesin e transformimit të Ushtrisë së Kosovës.
Së fundmi, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ishte shprehur për një prezencë më të rritur të ushtarëve gjermanë të KFOR-it në Kosovë.
Mandati aktual i ushtarëve gjermanë të KFOR-it, vazhdimi i të cilit u miratua në korrik nga Parlamenti Gjerman, parashikon dërgimin e deri më 400 ushtarëve, në rast nevoje. Aktualisht aty janë të stacionuar rreth 70 ushtarë gjermanë.
Së fundmi, Gjermania së bashku me Francën kanë treguar iniciativë për një angazhim më të fortë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Të premten, më 9 shtator, dy këshilltarët për çështje të jashtme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, do të shkojnë në Kosovë dhe Serbi për të parë se cilat janë opsionet e normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas qarqeve qeveritare në Berlin, dy këshilltarët pritet të kërkojnë me ngulm nga dy palët gjetjen e një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve./dw/