LAMTUMIRË ADEM GASHI!

16 janar 2024 | 19:45

Nga: Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”

Me dhimbje të madhe morëm lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe atdhetarit Adem Gashi.
Adem Gashi ishte njëri nga shkrimtarët më të shquar të Kosovës. Vepra e tij poetike dhe prozaike ka arritur shkallën më të lartë të mprehtësisë intelektuale dhe do të vazhdojë të mbetet si një pasuri me të cilën do të begatohen lexuesit e tij të tashëm e ata që do të vijnë edhe për shumë breza.
Ai ishte kryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës pas çlirimit të vendit (1999-2005). Ishte poet, romansier, tregimtar e eseist, autor i 27 librave dhe i 170 teksteve për këngë, kryesisht për dëshmorët e heronjtë e UÇK-së; laureat i dhjeta çmimeve letrare; laureat i Çmimit për karrierë letrare “Azem Shkreli” për vitin 2021 të Ministrisë së Kulturës, vepra e të cilit prezantohet në dhjeta antologji në disa gjuhë të botës.
Ndarja nga jeta e Adem Gashit, la të pikëlluar familjen e tij, miqtë e shokët, lexuesit e tij të shumtë e dëgjuesit e teksteve të këngëve të paharrueshme që ai ka shkruar.
Në tekstet e tij ai i ka ngritur një monument të pazëvendësueshëm komandantit legjendar Adem Jashari si dhe shumë heronjve tjerë.
Që nga themelimi i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, shkrimtari Adem Gashi ka qëndruar pranë nesh, duke përkrahur me gjithë zemër projektin tonë për ndriçimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit në Kosovë, të cilin e kanë kryer forcat serbe gjatë luftës së fundit.
Ishte ndër intelektualët e parë që ka mbështetur kërkesën tonë drejtuar institucioneve të Kosovës, që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë. Me këtë rast ai kishte shkruar:
Ideja e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, një shenjë kujtese e rikujtese e përgjithmonshme, një lule mosharrimi me dhembje, dhimbje e tragjizëm brenda. Mbështetja ime, këtu e për këtë, nuk i detyrohet një kërkese formale administrative, por, para së gjithash synimit fisnikërues e njerëzor si vlerë sipërane universale.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” është e tronditur me rastin e ndarjes së tij nga jeta. Ajo ka mbetur pa njërin nga mbështetësit e saj më të devotshëm.
Ngushëllime familjes, shokëve, miqve e lexuesve të tij.
Emri dhe vepra e tij do të jetojnë gjithmonë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arabia Saudite është e gatshme të njohë Izraelin nëse zgjidhet…