Lamtumirë kryemjeshtër

12 tetor 2018 | 21:55

Agron Bajrami

Thonë se puna e përditshme prej gazetari na mëson me lajme të këqija dhe na bën imun ndaj dhimbjes. Se gati-gati bëhemi pa ndjenja, si gurë.

E kanë gabim.

Lajmi i djeshëm për shuarjen e kolegut tonë të nderuar, Ibrahim Rexhepi, na goditi fort. Të gjithëve.

Neve, që e kemi njohur, ai lajm na i theu zemrat.

Edhe ata që nuk e kanë njohur personalisht Ibrahimin, por që e kanë përcjellë punën e tij, e kanë ndier dhimbjen e madhe.

Sepse Ibrahim Rexhepi për 42 vjetët e punës së tij në gazetari ishte i veçantë. Edhe si gazetar, edhe si redaktor, edhe si njeri.

* * *

Gjatë viteve sa kemi punuar bashkë, fillimisht te “Koha” javore e më pas edhe te “Koha Ditore”, Ibra imponohej me profesionalizmin dhe qetësinë e tij. Ishte, pa dyshim, njohësi më i mirë i gazetarisë ekonomike. Por ishte edhe mësuesi më i mirë për gjeneratat e reja.

Dhjetëra gazetarë dhe redaktorë kanë marrë mësimet më të vlefshme prej tij.

Ishte njeriu që më së shumti, apo ndoshta edhe i vetmi, e ndërtoi një stil të ri të gazetarisë ekonomike, asaj që në mënyrë kritike, por të mbështetur në njohuri profesionale fakte të vërtetuara, hulumton dhe ekspozon problemet në këtë fushë tejet të ndërlikuar.

Një dëshmi për thellësinë e pakrahasueshme të analizës dhe mendimit kritik që kishte, janë komentet dhe analizat e shumta që ka publikuar e që reflektonin gjykimin e tij të peshuar mbi argumentet dhe faktet.

Sigurisht, si të gjithë ne edhe ai kishte bindjet e veta. Por ishte ndër të paktët gazetarë në Kosovë, e edhe më gjerë, që asnjëherë nuk i ngatërronin bindjet dhe besimet personale me punën profesionale.

Ibra, vlerësimet profesionale nuk ua nënshtronte bindjeve asnjëherë. Faktet për të ishin të shenjta. E vërteta i vetmi synim.

* * *

Ne, gazetarët dhe redaktorët, zakonisht nuk e bëjmë historinë. E raportojmë atë.

Por në rastin e Ibrahim Rexhepit kemi të bëjmë me një njeri që ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të historisë së gazetarisë moderne në Kosovë. Ishte kryemjeshtri i gazetarisë ekonomike të Kosovës. Numri një.

Këtë, besoj, do të duhej që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ta vlerësonte. Personalisht mendoj që një çmim për gazetari ekonomike me emrin e Ibrahim Rexhepit është e pakta që ne, si komunitet gazetarësh, dhe si kolegë të tij, mund ta bëjmë për të respektuar punën dhe veprën e tij.

* * *

E dini, kur sot, në mëngjes, hyra në redaksi, gjatë ecjes nëpër korridorin e ngushtë që çon drejt deskut, për një moment besova se kur ta hap derën dhe ta kthej kokën djathtas, andej nga këndi i majtë i zyrës së redaktorëve, do ta shoh sërish Ibrën. Duke lexuar e analizuar gazetat. Duke i informuar për ngjarjet që kanë ndodhur mes mëngjesit dhe mbrëmjes së kaluar.

Ishte njeriu që vinte herët në punë. I pari. Lexonte dhe informohej çdo ditë. Kurrë nuk ra në kurthin e vetëkënaqësisë dhe ndjenjës se i di të gjitha.

Gjithmonë kërkonte më shumë, më mirë.

Por ishte shumë më shumë sesa një gazetar i mirë e profesionist. Ishte edhe një koleg i vlefshëm, mik i çmuar dhe njeri i madh e i hapur. I paharrueshëm.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Familjes, miqve dhe kolegëve ngushëllime.

(Fjala e mbajtur në mbledhjen komemorative për Ibrahim Rexhepin, organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës). Marrë nga: koha.net/KD.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inspektorati komunal ndaloi një mjet transportues i cili po bartte…