LAMTUMIRË, NEHAT
Shkruan: Ismail Syla
Sot ndërroi jetë bashkëfshatari im Nehat Shala (në foto djathtas). Ishte lajm i dhimbshëm që e mora nga shoku im i gjeneratës, kushëriri i Nehatit, Muharrem Shala. Ngushëllimet më të sinqerta Muharremit, djemve të tij Durimit dhe Granitit dhe bashkëshortes së tij.
Nehati ishte i djali i tretë i Ahmet Shalës, një burrë që natyra e kish pajisur me një inteligjencë dhe jeta me modesti. Nehati ishte një djalë i një familje tipike të fshatit tonë. I rritur në kushte jo të lehta. Ishte popullor, i dashur me njerëz dhe si punonjës i administratës në komunën e Drenasit nuk ka bashkëfshatar, por edhe më gjerë që ai të mos i ketë bërë mirë, duke ua lehtësuar nxjerrjen e dokumenteve themelore, duke ua kursyer rrugën deri në Drenas.
Nehati mbi të gjitha e kreu detyrën atdhetare në vitin 1998,1999. Ai, me shpalljen e mobilizimit ushtarak nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nuk ndejti në mërgim, por u radhit në njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht në Brigadën 138 “Agim Ramadani”. Fliste me krenari për heroizmin e ushtarëve të rinj në Betejën e Koshares. Kishte parë me sy natyrën e luftës: plagosjet e ushtarëve, vdekjen, gatishmërinë për sakrificë dhe efektin që krijon ambienti i luftës. Tërë kohën fliste me respekt për eprorët e kësaj briigade. Për çdo vjet shkonte me vullnet fillestar në Koshare, në manifestimin “Ditët e Shqipes”. Ai ndjehej i përmbushur si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fytyrën e Nehatit lexohej historia e tij dhe e brezit që i përkiste. Vuajtja dhe përpjekja për jetë më të mirë.
Vdekja e Nehatit në kushte të epidemisë së virusit COVID-19 bëri që atij të mos mund t’i bëhen nderime makisimale nga ish – ushtarët e shumtë, nga të gjithë bashkëfshatarët, miqtë dhe dashamirësit e tij të shumtë.
Të qoftë i lehtë dheu i vendlindjes Nehat!
(Në foto gjatë luftës në Betejën e Koshares, Blerim Latifi e Nehat Shala).