LAMTUMIRË RAMADAN ZAPLLUZHA!

15 korrik 2020 | 11:14

Skender Zogaj

E kishte pseudonimin “Therrë Murrizi”, por ishte Lule Zambaku, që tërë jetën përhapi rreze drite, mirësie e dashurie njerëzore, duke qenë në shërbim të përparimit të popullit dhe të forcimit të shoqërisë kosovare, në kohën kur pushteti okupues komunist jugosllav, shqiptarët i kishte therrë në sy!

Artisti i karikaturës, Ramadan Zhaplluzha, ishte nga të parët që mprehu lapsin dhe i dha jetë “Therrë Murrizit” me të cilën ia shporri maskën, ia zbuloi shëmtitë dhe ia demaskoi demagogjinë komunizmit jugosllav, duke treguar se shqiptarët me dhunë mund t’i mbante nën sundim, por nuk mund t’i mashtronte! Me mijëra krijime karikaturiste të Therrë Murrizit kanë demaskuar të gjitha të këqijat e kohës dhe, Ramadan Zhaplluzha, ishte padyshim, njëri nga kryeheronjtë e rezistencës artistike, më i zëshmi, më i miri, më efektivi dhe më i suksesshmi mjeshtër i karikaturës kosovare!

Ramadan Zhaplluzha ishte artist i madh por edhe njeri i mirë, i urtë, shok e mik i dashur, modest si uji e ajri, dhe dritëdhënës si hëna e dielli që luftojnë kundër errësirës! Si i këtillë iku nga kjo botë, por, dritëplotë do të mbetet në zemrat dhe në mendjet tona përgjithmonë, sepse krijimet e tij janë të përjetshme në historikun e karikaturës kosovare e gjithëshqiptare, ku Ramadan Zhaplluzës i takon vendi i nderit! Në emër të kësaj, duke e lutur Zotin që ta bekojë shpirtin e tij, familjes dhe gjithë Prizrenit ua shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe nga thellësia e zemrës i themi:

LAMTUMIRË RAMADAN ZAPLLUZHA!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jurgen Klopp është momentalisht trajneri më i mirë në botë,…