Lansohet aplikacioni i parë në vend kushtuar kulturës

13 dhjetor 2024 | 11:39

“Kultura App” është projekti i parë i kësaj natyre në Kosovë. Aplikacioni vjen me ambicien që të bëhet pikëtakim virtual për dashamirët e kulturës. Prishtinë, 13 Dhjetor – Ndjekësit e ngjarjeve kulturore në vend, veçmas në kryeqytet, tani do të kenë mundësi që lehtësisht të gjejnë dhe të dinë se çfarë po organizohet në vend. “Kultura App” është aplikacioni i parë kushtuar kulturës në vend. Ai iu mundëson përdoruesve të gjejnë lehtësisht ngjarje kulturore në vend dhe të qëndrojnë të informuar me lajmet më të fundit kulturore.
Me dizajnin e thjeshtë dhe me karakteristikat e tij gjithëpërfshirëse, “Kultura App” është një mjet i nevojshëm për çdo person që ka interesime mbi jetën dhe zhvillimet kulturore. Aplikacioni është i ndarë në pesë seksione dhe secili prej tyre ka rol dhe qëllim të ndryshëm:
1. 1. Faqja kryesore: Seksioni i faqes kryesore ofron një mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë për t’i qasur përmbajtjet më të rëndësishme dhe të rejat më të fundit.
1. 2. Kalendari: Seksioni i kalendarit lejon përdoruesit të shfletojnë dhe të kërkojnë për ngjarje kulturore që po ndodhin në zonën e tyre.
1. 3. Shto ngjarje: Ky seksion është i projektuar për organizatorët e ngjarjeve dhe individë që duan të promovojnë ngjarje kulturore. Përdoruesit mund të krijojnë dhe të publikojnë ngjarje. Kjo veçori ofron një mënyrë të thjeshtë dhe efektive për të arritur një audiencë më të gjerë dhe për të promovuar ngjarjet kulturore të një komunitet më i gjerë.
1. 4. Lajme: Seksioni i lajmeve ofron informacione për zhvillimet më të fundit në botën e kulturës. Përdoruesit mund të lexojnë lajme, recensione, intervista e të ngjashme.
1. 5. Profili: Profili i përdoruesit.
Salih Mehmeti, udhëheqës i projektit dhe përfitues i subvencionit nga Komuna e Prishtinës, ka thënë se më mbështetjen e këtij projekti është financuar realizimi i një aplikacioni të ri kulturor që mundëson shtrirje të gjerë dhe pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në jetën kulturore e artistike në Komunën e Prishtinës, por edhe më gjerë. “Unë shpreh mirënjohjen time për mbështetjen financiare, që më ka mundësuar të realizoj aplikacionin dhe kësisoj të kontribuoj pozitivisht në peizazhin kulturor të Kosovës. Mbes i përkushtuar që edhe më tutje të punoj në rritjen e ndikimit të projektit në të mirë të komunitetit artistik në vend”, ka thënë ai. Në anën tjetër, Alberina Haxhijaj, ideatore dhe menaxhere e projektit, ka thënë se aplikacioni shërben si testament për dedikimin e Komunës për të mbështetur inovacionin teknologjik në fushën e kulturës. “‘Kultura App’ është një aplikacion i cili siguron mbështetje për institucionet e pavarura kulturore që veprojnë në Komunën e Prishtinës dhe në vend. Aplikacioni mbështet bashkëpunimin ndërdisiplinar dhe ndërsektotrial dhe përmes tij nxitet inovacioni teknologjik në fushën e kulturës”, ka thënë ajo teksa ka falënderuar të gjithë ata që kanë punuar në këtë projekt, veçmas programerët dhe dizajnerin. Zbatimi i suksesshëm i projektit “Kultura App” u bë falë ndihmës së dhënë nga Komuna e Prishtinës, duke rezultuar me lansimin e një aplikacioni tejet të rëndësishëm për kulturën në vend.
Për të shkarkuar aplikacionin klikoni në link: https://apps.apple.com/us/app/kultura-app/id6475015120

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard…