Lansohet aplikacioni “Lajmëro Policinë”
Policia e Kosovës të mërkurën ka lansuar aplikacionin “Lajmëro Policinë”. Ky projekt do të jetë edhe një mundësi tjetër alternative për qytetarët për raportim sa më të shpejt dhe efikas të rasteve të ndryshme dhe avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit me Policinë e Kosovës.
Në lansimin e këtij aplikacioni morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Rashit Qalaj, kryesuesi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, zëdhënësi i policisë Baki Kelani dhe përfaqësues nga Divizioni për Siguri Publike të PK-së.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se ndihma këtë herë do të jetë digjitale. “Lajmërimet tash do të jenë më konfidenciale. Ky aplikacion është i rëndësishëm edhe për efikasitetin e policisë, sepse tash do të jenë edhe më të shpejtë për ndihmë ndaj qytetarëve. Ky do të jetë përafrim i qytetarit me policinë”, ka deklaruar Qalaj.
Ndërkaq ambasadori Jan Braathu ka thënë se OSBE-ja do të vazhdojë ndihmën ndaj Policisë së Kosovës.
Sipas tij, me lansimin e këtij aplikacioni, shpreson të rritet ndihma e policisë ndaj qytetarëve. “OSBE-ja prej fillimit ka ndihmuar policinë dhe këtë ndihmë do ta vazhdojë. Sot përmes teknologjisë informative është lehtësuar çdo raportim. Nganjëherë duam të raportojmë diçka por nuk dimë si ta bëjmë, e një mënyrë e tillë si kjo me aplikacion e lehtëson atë. Tash kemi lansuar këtë aplikacion që u lehtëson të gjithëve të raportoni krimet, dhunën e trafikimin”, është shprehur Braathu, duke shtuar se ky aplikacion do të ndihmojë policinë që të mbërrijë sa më parë në vendin e ngjarjes. “Në aplikacion mund të dërgoni edhe fotografi nga ndonjë vend i ngjarjes. Jam krenar me punën e Policisë së Kosovës. Kemi nevojë që policia të jetë sa më afër qytetarit”, ka thënë Braathu.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë theksuar se përdorimi i këtij aplikacioni siguron informacion, saktësi e efikasitet.
Ky aplikacion mund të shkarkohet në “Play Store”.