Lansohet aplikacioni “Pritjet kufitare”
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në bashkëpunim me “Open Data Kosovo” dhe “Girls Coding Kosova” kanë lansuar të mërkurën aplikacionin social “Pritjet kufitare”
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, ka theksuar me anë të këtij aplikacioni shpresojnë të jenë më afër qytetarëve, atdhetarëve, dhe gjithë turistëve, duke i ndihmuar që të planifikojnë udhëtimet e tyre ndërkufitare pa humbur shumë kohë.
Blerta Thaçi, drejtoreshë në “Open Data Kosovo” ka thënë se me anë të zhvillimit të këtyre aplikacioneve, përveç që po punojnë drejt digjitalizimit të institucioneve të administratës, janë duke angazhuar edhe komunitetin e TI në procese demokratike duke u mësuar të rinjve shkathtësi praktike në zhvillim softwerik.
Kjo iniciativë e të dhënave të hapura synon të ndihmojë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë që të planifikojnë udhëtimet e tyre ndërkufitare për të kursyer kohë, për të shmangur vonesat e trafikut dhe për të kaluar kufijtë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ky aplikacion miqësor i mbledh të dhënat nga 12 pikëkalimet kufitare dhe gjeneron video në kohë për të treguar statusin e çdo pike kufitare.
Aplikacioni shfaq automatikisht të dhënat për profilet e rrjeteve sociale dhe është projektuar për të ndihmuar përdoruesit të marrin vendime në lëvizje.
Në ditët në vazhdim platforma do të jetë aktive në profilet e rrjeteve sociale zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme.