Lansohet doracaku për parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore në institucione arsimore

14 korrik 2023 | 16:08

Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe Këshillin e Evropës, lansuan sot doracakun për mësimdhënësit dhe profesionistët e arsimit për parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore në institucione arsimore.

Zëvendësministri i MPB-së, njëherit Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Blerim Gashani, gjatë kësaj ceremonie tha se trafikimi me njerëz është një shkelje fundamentale e të drejtave të njeriut dhe si dukuri negative është sfidë globale që kërkon përpjekje të përbashkët ku sistemi arsimor/institucionet shkollore luajnë rol kyç në këtë betejë.

“Është e rëndësishme të kemi parasysh që parandalimi nuk është përpjekje e vetme, duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku që të inkurajojmë bashkëpunimin në mes të mësuesve, prindërve, komunitetit në përgjithësi dhe organeve të zbatimit të rendit, për të krijuar një rrjetë të fortë parandalues dhe një të ardhme ku ëndrrat e asnjë fëmije nuk cenohen e nuk shuhen nga krime të tilla”, ka thënë Gashani.

Doracaku është rezultat i një pune të vazhdueshme të bashkëpunimit dhe ekspertizës të palëve të ndryshme në implementimin e Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare, për të parandaluar dhe luftuar trafikimin me qenie njerëzore dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për fëmijët tanë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka…