Lansohet edicioni i dytë i Fondit të Inovacionit
Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe GIZ-i gjerman, kanë lansuar të hënën edicionin e dytë të Fondit të Inovacionit, pjesë e Projektit CETEP i cili implementohet nga Innovation Centre Kosovo (ICK).
Nëpërmjet këtij fondi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund përfitojnë deri në 50,000 euro.
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka thënë se edicioni i dytë i Fondit të Inovacionit ofron përkrahje të drejtpërdrejtë dhe më të madhe për sektorin privat.
Sipas tij, krahas ndihmës financiare, duhet të ndërtohen edhe mekanizma për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm. “Ne dhe GIZ-i, kemi ndërtuar një partneritet strategjik, pasi që kemi vizionin dhe besimin e njëjtë, se vendi jonë ka potencial për avancim të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit dhe TIK-ut”, ka thënë ministri Beqaj.
Ai ka theksuar se qëllimi i Fondit të Inovacionit është zhvillimi i kompanive dhe përkrahja e eksporteve.
“Ky është edicioni i dytë i Fondit të Inovacionit, vitin e kaluar kemi financuar, bazuar në ekspertizën e pavarur të vlerësimit, pesë kompani të suksesshme, tek të cilat kemi arritur të ndikojmë drejtpërdrejtë në promovimin e tyre në tregjet ndërkombëtare”, ka deklaruar ministri Beqaj.
Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarërsisë, sipas tij, do t’i mbulojë rreziqet nga investimet e ideve të ndërmarrësve të rinj.
“E rëndësishme është që të mos dorëzoheni në planet tuaja për të krijuar vende pune, për të prodhuar, për të përmirësuar shërbimet, për të eksportuar. Nxitja e shpirtit ndërmarrës, na ndihmon shumë në arritjen e objektivave dhe përballje me sfidat nëpër të cilat po kalon e gjithë bota”, ka theksuar ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.
Fondi i Inovacionit, është bashkëfinancim i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarërsisë dhe GIZ-it, nëpërmjet Projektit CETEP i cili implementohet nga ICK-ja.
/Epoka e re/