Lansohet Fondi për Efiçiencë të Energjisë, Kosova e para në rajon
Të hënën është inauguruar Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe bordi i drejtorëve ka filluar ditën e parë të punës me përbërje nga Ruzhdi Sefa, Lum Mita, Sazan Ibrahimi, Artan Berisha dhe dy përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore.
Ky fond në fillim të operimit do të përfitojë 10 milionë euro grant nga Komisioni Evropian, 5 milionë euro nga Banka Botërore dhe 1 milion euro nga Qeveria e Kosovës. Përfituesit e këtyre projekteve do të jenë kryesisht ndërtesat publike dhe më vonë edhe ato private.
Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, ka thënë se ky është hap konkret në përmbushjen e agjendës evropiane të reformave dhe se energjia e Kosovës është prioritet i BE-së. “Ky është një hap konkret në përmbushjen e Agjendës Evropiane të Reformave. Kjo nuk do të ndodhte pa një punë të madhe dhe një koordinim të mirë në mes të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Bankës Botërore dhe BE-së. Sektori i energjisë dhe reformat mbeten prioritet për BE-në. Efienca e energjisë është në thelb të këtyre reformave”, ka thënë Apostolova.
Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, ka theksuar se Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë është fondi i parë i tillë në Ballkanin Perëndimor dhe se kjo e bën Kosovën lidere në rajon në këtë fushë.
Gjithashtu Marco Mantovanelli ka thënë se ndjehet i gëzuar që Banka Botërore është pjesë e këtij fondi dhe se do të kontribuojë edhe me asistencë teknike, e me përvojë nga fondet e tilla në pjesë të ndryshme të botës.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrim Lluka, ka thënë se Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, si entitet i rëndësishëm, i pavarur, autonom dhe i qëndrueshëm, është themeluar me miratimin Ligjit për Efiçiencën e Energjisë për të arritur objektivat e Kosovës në këtë sektor.
Lluka ka thënë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet sa i përket krijimit të strategjive për efiçencë.
Ministri Lluka ka falënderuar Komisionin Evropian për mbështetjen financiare dhe asistencën teknike në këtë proces, Bankën Botërore si një partner i vazhdueshëm në këtë sektorë, si dhe të gjithë donatoret dhe institucionet financiare tjera që në vazhdimësi po e mbështesin fushën e efiçiencës së energjisë.
/Epoka e re/