Lansohet fondi për inovacion dhe ndërmarrësi për organizatat joqeveritare
Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka lansuar të enjten “Programin për financim të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë” për organizatat joqeveritare.
Ky program-fond do të mbështesë financiarisht projektet e OJQ-ve që kanë për qëllim zhvillimin dhe promovimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë në Republikën e Kosovës.
Në hapje të kësaj ngjarjeje para pjesëmarrësve ka folur ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj.
Ai ka theksuar rëndësinë që ka lansimi i këtij programi për promovim dhe zhvillim të inovacionit nga OJQ-të, duke theksuar se ministria që drejton në bashkëpunim me organizatat me kredibilitet ndërkombëtar do të bëjë që procesi i ndarjes së fondeve të jetë transparent dhe me efekt të prekshëm ekonomik për vendin.
“Kjo është ngjarja më e rëndësishme që nga themelimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Vizioni i Ministrisë së Inovacionit është që rininë ta bëjmë faktorin kryesor për rritje të konkurrueshmërisë në vend dhe ta përkrahim sektorin i cili po shënon bilancin pozitiv tregtar”, ka thënë Beqaj.
Më tutje, Beqaj ka specifikuar edhe kategoritë e përfituesve të fondeve, duke theksuar se programi do të këtë tri nivele të mbështetjes financiare, nga 15 mijë deri në 200 mijë euro. Në këtë kontekst, ai është shprehur i sigurt se ky program do të sjell benifite për zhvillim ekomomik të vendit.
“Programi për përkrahjen financiare të OJQ-ve, që fushë të veprimtarisë e kanë inovacionin dhe ndërmarrësinë, është hap i rëndësishëm që po bënë sot MIN në drejtim të hapjes së mundësive për shfrytëzim të potencialit të të rinjve të Kosovës në fushën e teknologjisë informative”, ka thënë Beqaj.
Në ceremoninë e lansimit të Fondit për inovacion dhe ndërmarrësi për OJQ-të, para pjesëmarrësve kanë folur edhe zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Fatmir Gashi, drejtoresha e STIKK-ut, Vjollca Çavolli dhe Arianit Dobroshi nga “Prishtina Hackerspace”.