Lansohet fushata ‘Festo me zemër, jo me armë!’
“Përdorimi i paligjshëm i armëve, janë shkaktarët kryesorë të vrasjeve në Kosovë”. Kështu është thënë të hënën në lansimin e fushatës Festo me zemër, jo me armë” nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Aty është thënë se kjo dukuri është në rënie, por prapë mbetet kërcënim për rendin dhe sigurinë publike.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, ka thënë se Policia e Kosovës konfiskon përafërsisht 1 500 armë ilegale të llojeve të ndryshme për çdo vit.
Gashani ka deklaruar se misioni i tyre mbetet avancimi i nivelit të sigurisë në vend. Sipas tij, statistikat tregojnë që armët pa leje janë shkaktarë të vrasjeve.
“Statistikat tregojnë që armët pa leje që janë në përdorim të paligjshëm nga qytetarët janë shkaktarë e pjesës dërmuese të vrasjeve. Edhe pse zotërimi i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe armeve të ftohta është në rënie çdo vit kjo dukuri ende mbete kërcënim për rendin dhe sigurinë publike në Kosovë por edhe shqetësim për institucionet e sigurisë. Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon përafërsisht 1500 armë ilegale të llojeve të ndryshme për çdo vit. Konfiskimi i armëve të vogla dhe të lehta po vazhdon por edhe municionet e kalibrave të ndryshëm. Sot MPB-ja po bënë hapjen zyrtare të kampanjës vetëdijesuese ‘Festo me Zemre jo me armë’. Le të kujtohet festa e jo vrasja apo lëndimi. Lidhur me parandalimin e keqpërdorimit të armëve të zjarrit, duhet bashkëpunim reciprok në mes të qytetarëve dhe organeve të zbatimit të ligjit për parandalimin e gjuajtjeve me armë dhe në përgjithësi krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e republikës”, ka thënë Gashani.
Ndërsa përfaqësuesi i Bashkimit Evropian (BE), Annemarie Douwes, ka thënë se unioni në Kosovë mbetet i përkushtuar për mbështetjen e këtyre fushatave që kanë për qëllim për promovimin e ndërgjegjësimit.
“BE në Kosovë mbetet e përkushtuar për mbështetjen dhe brengen që kanë për qëllim për promovimin e fushatave të ndërgjegjësimit si dhe veprimeve parandaluese për zvogëlimin e ndikimit negativ të shtënave festive”, ka thënë Douwes.
Na anën tjetër, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Arbnesh Ajvazi, ka deklaruar se brenda vitit arrijnë të konfiskojnë mbi 1 500 armë ilegale dhe mbi 20 mijë municione të ndryshme. Ai ka thënë se vitin e kaluar është vërejtur një rënie e lehtë e përdorimit të armëve ilegale.
“Parandalimi i përdorimit të armëve gjatë festave paraqet një sfidë të madhe për ne si shoqëri. Kultura dhe traditat tona shpeshherë kanë përdorimin e armëve si pjesë e festimeve, por duhet të ndryshojmë këtë mentalitet. Pjesa më e madhe e armëve qe përdorën në vend përfshirë ato të festa janë të zotëruar në mënyrë ilegale, pjesa më e madhe e tyre posedohen në mënyrë të jashtëligjshme, andaj kjo duhet të parandalohet. PK ka punuar shumë për të mbrojtur shtetasit e saj dhe për të ofruar siguri, duke konfiskuar armë ilegale, ku brenda vitit konfiskojmë 1200 deri në 1500 armë e mbi 20 mijë municion të ndryshëm”, ka thënë Ajvazi, duke shpalosur edhe disa statistika të përdorimit të armëve ndër vite nëpër ahengje.
“Statistikat e rasteve të përdorimit të armëve nëpër ahengje për vitin 2022 dhe 2023, vërehet se në vitin 2023 kemi më pak raste. Në vitin 2022 kemi pasur 155 armë të sekuestruara vetëm në ahengje, që kanë qenë të përdorura në ahengje, ndërsa në vitin 2023 kemi 107 armë. Rastet që janë raportuara për të shtëna me armë, qershor-gusht 2023 kemi arritur t’i konfiskojmë në muajin qershor 47 armë. Këto nuk kanë qenë armë që janë përdorur, por që kanë poseduar të pranishmit. Në korrik kemi konfiskuar 24 armë dhe në qershor 54 armë që gjithsej janë 125”, ka thënë Ajvazi./EO