Lansohet fushata “Let’s talk economy”
Me pjesëmarrjen e shefës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe njohësve të ekonomisë, ndërmarrësve dhe të rinjve të interesuar në zhvillimin ekonomik të vendit, në zyrat e kompanisë “Gjirafa”, është lansuar fushata për ekonomi “Let’s talk economy”.
Apostolova në hapje të fushatës ka thënë se kjo është fushata e tretë me radhë pas asaj për arsim dhe mjedis.
“Kjo është fushata e tretë, në të cilën duam që diskutimin ta nxjerrim jashtë kësaj zyre të Gjirafës – një prej kompanive më të suksesshme në Kosovë. Me anë të vizitave tek kompanitë, debateve, garave dhe ndihmës financiare do të mundohemi të vazhdojmë mbështetjen e BE-së në sektorin e ekonomisë në Kosovë, një prej prioriteteve tona”, ka treguar Apostolova.
Themeluesi i Gjirafës, Mërgim Cahani, ka treguar se mbështetja e Bashkimit Evropian nuk ka munguar asnjëherë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe fakti se kjo mbështetje potencohet në çdo rast e bën atë të lumtur si ndërmarrës.
Kryesuesja e ekipit në Europe House, Vjosa Berisha, ka prezantuar videot e fushatës, ndërsa edhe ka shpallur të hapur garën për ekonomi, ku të rinjtë do të mund të propozojnë idetë e tyre për startups dhe tri idetë më të mira do të shpërblehen.
Fushata do të zgjasë për shtatë javë, ndërsa do të fokusohet në regjione të ndryshme në Kosovë.