Lansohet fushata ndërgjegjësuese me moton “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”
Me rastin e muajit tetor, muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në lansimin e fushatës ndërgjegjësuese me moton “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”.
“Nga të gjitha vdekjet nga kanceri, 1 në 7 vdekje vjen nga kanceri i gjirit. Përderisa shkenca nuk ofron një qasje parandaluese, fokusi është në zbulimin e hershëm të sëmundjes. Për këtë angazhohemi bashkë, me investimet në sistemin tonë shëndetësor dhe me rritjen e vëmendjes dhe të vetëdijes për rëndësinë e ekzaminimeve rutinore”, u shpreh kryeministri Kurti.
Si Qeveri, shtoi më tej ai, përkushtimi i tyre është i përditshëm, që të sigurojnë qasje sa më të lehtë dhe të barabartë në shërbimet shëndetësore, për zbulimin e hershëm dhe për trajtimin e kancerit të gjirit, për të gjithë qytetarët, duke siguruar qasje multidiciplinare.
“Në këtë betejë për jetën, Ministria e Shëndetësisë po vepron në zgjerimin e hartës së shërbimit të kemioterapisë dhe terapisë tabletare në spitale rajonale. Kemi decentralizuar shpërndarjen e terapisë tabletare në Spitalin e Prizrenit dhe jemi në përgatitje të decentralizimit edhe të shërbimit të kemioterapisë për të sjellë shërbimin sa me afër qytetarëve. Me vendosmërinë tonë për të siguruar barnat për qytetarët tanë që përballën me sëmundje, edhe e kemi rritur ndjeshëm buxhetin për barna. Kosova sot ka dy pajisje të gjeneratës së fundit për radioterapi, akceleratorë linearë, si dhe listë të pritjes në norma më optimale në raport me vendet e rajonit”, ka theksuar kryeministri.
Statistikat tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit është 1 në 8 gra, mirëpo paraqitet edhe tek burrat, por me shkallë më të ulët të rrezikut, 1 në 100 raste.
Në këta nëntë muaj të vitit 2023, 332 pacientë janë diagnostikuar me kancer të gjirit. Kryeministri Kurti u bëri thirrje të gjitha grave dhe vajzave, por edhe burrave e djemve, që të kujdesën për vetën, duke vizituar mjekun e afërt, e duke u kontrolluar edhe kur mund të mos keni shqetësime.
Në fund të fjalës së tij, Kurti tha se të gjitha grave që po luftojnë me vendosmëri për jetën, u themi se nuk janë vetëm dhe se luftën do ta bëjmë bashkë dhe sëmundjen do ta mposhtim bashkërisht.