Lansohet fushata për imazhin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional
Të martën është lansuar fushata “Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve”, me mbështetje të Deutsche Gesellschaft fuer Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
Përmes kësaj fushate synohet përgatitja e rinisë tonë për tregun e punës.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka ftuar nxënësit që të bëhen pjesë e arsimit dual, duke theksuar se në vitin 2021 filluan arsimin dual me tri profile në katër shkolla, ku në tri komuna u regjistruan 107 nxënës. “Këtë vit kemi shtuar edhe 8 profile të reja ku në 12 profilet duale sivjet janë regjistruar 920 nxënës në 21 shkolla profesionale në 14 komuna”, është shprehur Nagavci.
Ajo ka falënderuar bizneset, grupet punuese, shkollat dhe të gjithë ata e ato që po mundësojnë që arsimi dual sipas modelit të vendeve gjermanofolëse të jetësohet suksesshëm edhe në Kosovë.
Duke u gjendur para kryqëzimit të ndryshimeve globale dhe rritjes ekonomike në vendin tonë, ku kërkohet një fuqi punëtore e aftë, e adaptueshme dhe inovative, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Arsimi dhe Aftësimi Profesional është thelbësor për mirëqenien sociale. “Kësisoj, bashkëpunimi ynë me Qeverinë gjermane tregon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, duke mësuar nga modeli gjerman, qeveria që drejton synon të integrojë praktikat më të mira me kontekstin tonë unik.
“Një sistem i cili i përgjigjet nevojave të ekonomisë dhe shoqërisë sonë, por edhe potencialeve të vendit tonë. Këtu bashkëpunimi i ngushtë mes kompanive, shoqatave përkatëse, shkollave profesionale, nxënësve por edhe prindërve tonë, është parakusht i çdo përpjekjeje institucionale për ndërtimin e sistemit dual”, ka thënë kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij.
Përmes kësaj fushate, kryeministri rekomandoi që kompanitë t’i adresojnë propozimet e tyre te Ministria e Arsimit dhe te shkollat përkatëse në komunat e tyre, ndërkaq odat t’iu ndihmojnë kompanive anëtare në mbledhjen e kërkesave që nga viti shkollor 2024/25 të kemi hapësira të mjaftueshme nëpër shkolla profesionale për t’i përgatitur nxënësit.