Lansohet fushata “Shijo djathin e vërtetë”
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUVK), ka filluar fushatën për promovimin e djathit vendor të prodhuar 100 për qind nga qumështi, e realizuar në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit dhe Shoqatën e Qumështorëve të Kosovës.
Kryeshefi ekzekutiv i AVUK-ut, Valdet Gjinovci, ka thënë se kampanja do të bazohet në punë cilësore, djathë tërësisht nga qumështi dhe përfitime shëndetësore.
Ai po ashtu ka deklaruar se industria e qumështit në Kosovë është lider, falë mbështetjes institucionale, USAID-it, si dhe AUV, të fokusuara në mbrojtje e shëndetit dhe ngritjen e vetëdijes për ushqim cilësor. “Kjo fushatë do të fokusohet në informimin e konsumatorëve për vlerën ushqyese të djathit të bërë 100 për qind nga qumështi , cilësinë e lartë të tij, dhe përfitimet shëndetësore. AUVK do të kontribuojë me testimin e prodhimeve të qumështit”, ka thënë ai. Gjinovic bëri të ditur se janë duke bërë vaksinimin e gjedhëve kundër sëmundjes gungore të gjedhit. “Kosova është ndër vendet e para të rajonit që përfshihet në vaksinimin e kafshëve të egra nga ajri”, është shprehur ai.
Brian Martalus, drejtor i Zyrës për zhvillim ekonomik të USAID-it në Kosovë, ka thënë se qëllimi kryesor i kësaj kampanje është që njerëzit të informohen për djathin e vërtetë, që sipas tij konsiston në ngritjen e vetëdijes për dallimin midis djathit të prodhuar tërësisht nga qumështi dhe djathit nga vajrat me bazë bimore.
Kurse, Isuf Cakiqi nga Ministria e Bujqësisë ka deklaruar se ministri në fokus të veçantë ka sektorin e blegtorisë, gjegjësisht fushën e qumështit dhe se përveç përkrahjes së sektorit të blegtorisë, ajo ka marrë edhe iniciativa për promovimin e produkteve të qumështit, me qëllim që të konsumohet djathi i vërtetë nga qumështi. Milazim Berisha nga SHPQK, ka përgëzuar këtë fushatë, duke u shprehur optimist se do të ndikojë në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve. “Kjo fushatë ka qenë e domosdoshme sidomos bë dyshimet që kanë qenë në prodhimet e qumështit. Kjo fushatë për të pasur efektin e vet, të gjithë akterët duhet të kryejnë punën e vet”, u shpreh ai. Ndërsa, Gani Durmishi, kryetar i SHQK-së, ka thënë se janë të fokusuar në ofrimin e produkteve vendore për të zëvendësuar ato që importohen. “Ky djathë do të jetë pak më i shtrenjtë, por konsumatori e ka mundësinë të zgjedhë nëse dëshiron djathë cilësor, tërësisht me origjinë shtazore, apo djathë tjetër”, është shprehur Durmishi.