Lansohet kampanja ‘Evropianët e artë’ në prag të Lojërave Olimpike ‘Parisi 2024’
Lojërat Olimpike “Paris 2024” po afrohen, kurse ekipi olimpik i Kosovës po vazhdon përgatitjet për pjesëmarrjen e tretë në Lojërat Olimpike Verore. Në kuadër të përgatitjeve, kur kanë mbetur edhe 50 ditë deri në LO Paris 2024, Komiteti Olimpik i Kosovës ka lansuar kampanjën #GoldenEuropeans (Evropianët e artë), në kuadër të së cilës do të zbulohen aktivitetet e shumta që na presin deri në “Paris 2024”.
Me këtë rast, zëdhënësi për media në Komitetin Olimpik të Kosovës, Kushtrim Krasniqi në një konferencë për media ka thënë se ky slogan është i frymëzuar nga historia e suksesshme e Kosovës në Lojërat Olimpike.
“Sot siç po e shihni janë edhe 50 ditë deri në Lojërat Olimpike ‘Parisi 2024’ dhe pikërisht në këtë ditë kemi vendosur që ta lansojmë kampanjën ‘Golde europians’. Pse kemi ardhur përfundim të këtij slogani? Frymëzimin kryesor e kemi gjetur tek historia jonë e suksesshme në Lojërat Olimpike. Siç edhe e dini, në vetëm dy pjesëmarrje në Lojërat Olimpike verore, Kosova si një vend i vogël ka arritur t’i fitojë tri medalje, dhe të tria të arta, të tria nga vajzat tona nga sporti i xhudos. Pra, fal këtij suksesi kemi ardhur në përfundim që në rrugëtimin tonë drejt ‘Paris 2024’, ekipi ynë i Kosovës ta bartë me vete këtë slogan i cili besojmë shumë se do të jetë një motiv shtesë për të gjithë ekipin olimpik të Kosovës”, ka thënë Krasniqi. Deri tek nisja zyrtare e Lojërave Olimpike “Parisi 2024”, Komiteti Olimpik do t’i zhvillojë disa aktivitete.
Ndryshe, Lojërat Olimpike “Parisi 2024” do të zhvillohen nga data 26 korrik deri më 11 gusht dhe Kosova atje synon të rrëmbejë medalje elitare, sidomos në sportin e xhudos.