Lansohet manuali për akreditim për ekspertë ndërkombëtarë
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe projekti Higher Education, Research and Applied Sciences Plus lansuan të mërkurën manualin për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe programet e studimit nga ekspertë ndërkombëtarë, një manual trajnimi i hartuar me qëllim ofrimin e udhëzimeve të bazuara në praktikë për ekspertët ndërkombëtarë të vlerësimit të angazhuar nga AKA-ja për kryerjen e vlerësimit të jashtëm të institucioneve të arsimit të lartë (IAL) në Kosovë.
Drejtori i AKA-së, Naim Gashi, ka thënë se lansimi i këtij projekti ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve të Agjencisë së Akreditimit për vlerësimin e jashtëm të institucioneve të arsimit të lartë, por gjithashtu plotëson një nga kriteret për kthimin tonë në ENQA dhe EQAR.
“Me këtë produkt, projekti ‘Heras Plus’ dhe donatorët austriakë po kontribuojnë në sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë. Manuali për ekspertët e jashtëm që marrin pjesë në procesin e vlerësimit në Kosovë, rrit cilësinë e shërbimeve tona, u shpjegon me hollësi ekspertëve standardet e AKA-së si dhe kontekstin kosovar”, ka deklaruar Gashi.
Gashi ka falënderuar projektin “Heras Plus”, donatorin kryesor; Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe partnerët tjerë të konsorciumit zbatues të projektit, për financimin e këtij projekti me rëndësi kaq të madhe për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si dhe për sistemin e arsimit të lartë në Kosovë.
Udhëheqësi i projektit të “Heras Plus”, Aqim Emurli, ka theksuar se mbështetja e AKA-së në zhvillimin e manualit që kanë promovuar është vazhdimësi e kontributit që ofron projekti “Heras Plus” në mbështetjen e arsimit të lartë në Kosovë në përgjithësi.
“Gjithashtu, është një tregues i përkushtimit të donatorëve dhe zbatuesve të projektit në fushën e avancimit të përgjithshëm institucional të AKA-së, por edhe të agjendës evropiane të Kosovës në fushën e arsimit të lartë. Në këtë fazë, fokus kryesor i projektit sa i përket aktiviteteve që ndërlidhen me AKA-në, mbetet angazhimi për rikthimin e AKA-së në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA)”, ka thënë Emurli.
Manuali është tejet i rëndësishëm pasi Agjencia do ta përdorë atë për të trajnuar ekspertët lidhur me tema relevante të procesit të akreditimit si dhe lidhur me të kuptuarit e kontekstit të arsimit të lartë dhe proceseve relevante.
Mbështetja e projekti “Heras Plus” për zhvillimin e këtij manuali përbën një nga aktivitetet e dakorduara që janë pjesë e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar në nëntor 2020 nga dy palët me qëllim të ofrimit të mbështetjes për ndërtimin e kapaciteteve të AKA-së dhe për përmbushjen e kritereve për kthimin e Agjencia së Kosovës për Akreditim në ENQA.