Lansohet pilot-projekti që do të mbështes sektorin e industrisë kreative
Në hapësirat e Ambasadës së Suedisë në Kosovë u lansua pilot-projekti që do të mbështes sektorin e industrisë kreative në vend.
Të pranishëm ishin ministri Hajrulla Çeku, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, shefja e zyrës së bashkëpunimit në Universitetin e Lundit, Lisa Thelin, përfaqësues të UN Habitatit, të Anibarit dhe Future by Lund.
MKRS-ja ka njoftuar se në këtë ngjarje u shpalosën detajet e projektit që do të zhvilloj kapacitetet e inovacionit dhe modelet e bashkëpunimit ndërdisiplinar të sektorit të industrive kreative.
Gjatë fjalës së tij, ministri Çeku foli për rëndësinë e këtij projekti që do të asistoj në hartimin e strategjisë kombëtare për industritë kreative në Kosovë, e cila do të zhvillohet gjatë këtij viti.
Projekti mbështetet nga Ambasada Suedeze në Kosovë dhe implementohet nga MKRS, Universiteti i Lundit, Future by Lund, UN Habitat dhe Anibar.
Në shtator të vitit 2023 MKRS kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Lundit, për të fuqizuar kapacitetet inovative të industrive kreative dhe për ta rrjetëzuar atë me zhvillimet në Evropë.
Ky projekt vjen si vazhdimësi e këtij memorandumi.