Lansohet projekti e-Twinning, mundësohet bashkëpunimi me sistemet arsimore në 40 shtete të Evropës
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen, kanë bërë lansimin e projektit e-Twinning, që i mundëson sistemit arsimor në Kosovë, të bashkëpunojë me sistemet arsimore në 40 shtete të Evropës.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberie Nagavci, ka theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke thënë se përmes këtij projekti, bëhet promovimi i mësimit të bazuar në projekte dhe qytetarinë digjitale duke mundësuar të zhvillohen aftësitë digjitale në gjeneratat e reja.
“Jemi bashkë për të lansuar zyrtarisht projektin e-Twinning, pasi që këtë vit jemi bashkuar komunitetit të e-Twinning, platformë kjo online që mundëson bashkëpunimin e mësuesve, nxënësve dhe stafit të shkollave nga vende të ndryshme dhe Kosova për herë të parë po bëhet pjesë e platformës me më shumë së 40 shteteve të cilat tashmë kanë qasje por edhe mundësi të bashkëpunimit. Kjo është bërë e mundur përmes bashkëpunimit të MASHTI-t si bashkfinancuese me Komisionin Evropian duke ofruar mundësi për bashkëpunim me shkollat e 40 shteteve”, ka deklaruar Nagavci.