Lansohet projekti i forcimit të qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve

12 dhjetor 2024 | 16:41

Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në lansimin e Projektit të Forcimit të Qeverisjes Digjitale për Ofrimin e Shërbimeve, të organizuar në partneritet me Bankën Botërore.

Sipas kryeministrit Kurti, kjo ngjarje shënon fillimin e një kapitulli të rëndësishëm në rrugëtimin e transformimit digjital të vendit tonë, që ka për synim modernizimin e qeverisjes dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike përmes inovacionit digjital.

“Projekti i Forcimit të Qeverisjes Digjitale për Ofrim të Shërbimeve, të cilin po e emërtojmë sot shkurt si Kosova Digjitale, është një nismë ambicioze që mishëron përkushtimin tonë për të modernizuar ofrimin e shërbimeve publike dhe për të ndërtuar një qeveri të fuqizuar digjitale për qytetarët tanë”, u shpreh ai.

Si një vizion dhe zotim i përbashkët, Kosova Digjitale është bashkëdizajnuar dhe mbështetur financiarisht nga Bankat Botërore, me buxhet prej 18.5 milionë eurosh, derisa Qeveria e Japonisë përmes dy granteve me vlerë prej 800 mijë dollarësh, ka mbështetur nisjen e shumë aktiviteteve fillestare dhe përgatitore që janë një ndihmesë e madhe për zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Projektit Kosova Digjitale. “

Përmes grantit të Qeverisë së Japonisë, tashmë po e finalizojmë dizajnimin e qendrës së parë të integruar të shërbimeve, e cila të funksionojë si një one-stop-shop fizik, ku qytetarët do të mund të marrin shërbime qeveritare në një lokacion të vetëm, me ndihmën e zyrtarëve publikë. Projekti Kosova Digjitale do të mundësojë realizimin e kësaj iniciative”, shtoi tutje kryeministri Kurti.

Po ashtu, projekti “Kosova Digjitale” do të kontribuojë edhe në avancimin e mëtejshëm të dritares E-Kosova, e cila ka mbi 986,000 përdorues të regjistruar dhe me gati 200 shërbime online elektronike të lansuara, duke e vendosur qytetarin në qendër dhe duke organizuar shërbimet rreth ngjarjeve jetësore të tij. Në këtë kontekst, kryeministri veçoi ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijëve, dhe sipas tij, projekti i ri do të mundësojë që kjo qasje të zgjerohet edhe në ngjarje të tjera jetësore të secilit individ qytetar të Republikës sonë.

“Në planin e rritjes dakorduar me Bashkimin Evropian, ne jemi zotuar se do të digjitalizojmë 50% të shërbimeve publike deri në vitin 2027, përderisa synimi ynë është që deri në vitin 2030 të digjitalizojmë 100% të shërbimeve kyçe publike, që është synim i vendeve të Bashkimit Evropian, i përcaktuar në programin e dekadës digjitale 2030 të Bashkimit Evropian”.

Kryeministri Kurti përfundoi fjalën e tij duke thënë se dita e sotme, 12 dhjetori i vitit 2024, është Ditëlindja e Kosovës Digjitale, derisa kujtoi se Kosova për transferimin digjital nga indeksi GTMI i Bankës Botërore, ka avancuar nga Grupit C i vendeve me fokus të kufizuar, në Grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë tetë rekomandime ndaj Policisë…