Lansohet projekti për “Përafrimin e ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”
Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në lansimin e projektit të Këshillimi të Evropës për “Përafrimin e ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”, për të cilin tha se është një hap i madh drejt barazisë.
Në këtë ngjarje, e pranishme dhe pjesëmarrëse ishte dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Ky projekt ka për qëllim përafrimin e mëtejmë të ligjeve dhe të politikave tona, e kjo pikërisht me Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, një institucion, tek i cili aspirojmë që të anëtarësohemi, sepse besojmë dhe kultivojmë vlerat e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se secila përpjekje për barazi, hapë shtigje për emancipim dhe solidaritet.
Sipas Kurtit, një hap i madh drejt barazisë, është edhe ky traktat që na ka mbledhur sot, e që njihet ndryshe si Konventa e Stambollit.
Ai ka bërë me dije se qeveria ka marrë përsipër obligimet që parasheh kjo konventë.
“Po angazhohemi maksimalisht që të zbatojmë në përpikëri hapat e masat që kërkohen nga ne dhe ky angazhim yni mbështetet në një synim të thjeshtë: Që asnjë grua të mos jetojë me frikën e dhunës e që çdo vajzë të rritet duke u ndjerë e sigurt”, theksoi kryeministri Kurti, duke shtuar se si përgjigje ndaj dhunës, institucionet tona e kanë përmirësuar dukshëm kornizën ligjore me ndryshimet e fundit të ‘përqafimit’ të Konventës së Stambollit.
Ai shtoi se Korniza ligjore, krahas avancimit, duhet shoqëruar me politika të duhura publike, rritje të cilësisë së shërbimeve publike, pavarësi ekonomike, e financim të qëndrueshëm, andaj me qëllim të pavarësimit dhe fuqizimit ekonomik të grave, në këto dy vite të qeverisjes, janë ndërmarrë hapa konkret për një Kosovë sa më barazimtare mes grave dhe burrave.
Kryeministri Kurti tha se me përkushtim institucional e shoqëror, do të punojnë për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, këtë fenomen shoqëror që pamundëson barazinë, sepse nuk mund të ketë barazi shoqërore, pa pasur edhe barazi gjinore.
“Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimet duhet t’i luftojmë bashkë. Dhunën në familje e dhunën në bazë gjinore, duhet ta luftojmë në mënyrë efikase të gjithë, gjatë gjithë kohës, e çdo kund. Do të jemi krah për krah, drejt barazisë gjinore, që është pra parakusht për një shoqëri të barabartë”, tha kryeministrit Kurti.