Lansohet projekti që synon eliminimin e parregullsive rreth asistencës sociale

24 tetor 2023 | 12:11

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) në bashkëpunim me Bankën Botërore kanë implementuar Projektin për Reformën e Sistemit të Asistencës Sociale (SAS) të Kosovës.

Ky projekt mundëson targetimin e saktë të familjeve që kualifikohen për asistencë sociale dhe ka për qëllim të luftojë varfërinë e përhershme.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se si qeveri janë duke mbushur premtimet e dhëna në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Me këtë projekt, Murati ka thënë se synimi do të jetë edhe aktivizimi i anëtarëve të familjeve përfituese në tregun e punës.

“Projekti për Reformën e Skemës të Asistencës Sociale do të zbatohen nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe ka për qëllim që të zgjeroj skemën e asistencës sociale në Kosovë, të eliminojë parregullsitë dhe të garantoj që të gjitha familjet në nevojë të ndijën dorën e shtetit. Përmes këtij projekti Ministria e Financave synon që të largoj diskriminim brenda kategorive duke e bërë sistemin e asistencës sociale të atillë që në njërën anë e lufton varfërinë, por në anën tjetër nuk krijon varësi të përhershme për familjet”, ka thënë Murati.

Ai ka shtuar se përmes bashkëpunimit me Bankën Botërore synojnë që të krijojnë edhe mundësi të qëndrueshëm punësimi të përfituesit duke e bërë të lehtë kalimin e tyre nga përfitues të skemës se asistencës sociale në punësim të rregullt dhe të qëndrueshëm.

“Vlen të theksohet se ky është një angazhim konkret në përmbushje e programimit tonë qeverisës si dhe zbatimit të masës 3.3 të ringjalljes ekonomike”, është shprehur ministri Murati.

Edhe drejtori për Kosovë i Bankës Botërore, Massimiliano Paolucci, u shpreh i lumtur që po arrijnë të implementojnë një projekt të tillë.

Paolucci ka theksuar se si Bankë Botërore janë të gatshëm të vazhdojnë të mbështesin këtë agjendë të rëndësishme në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
TI KUJTOJM ATDHETARET TANË: KOLONEL SYLEJMAN VUÇITËRNA- DHE “GJYQI SPECIAL”…