Lansohet Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale

05 dhjetor 2022 | 14:52

“Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale, është një dokument pune për t’u përdorur nga të gjitha institucionet përgjegjëse për trajtimet e rasteve të dhunës seksuale”, ka thënë kryeministri i Albin Kurti, në ceremoninë e lansimit të tij.

Kurti ka theksuar se ky Protokoll Shtetëror synon të qartësojë të gjitha institucionet përgjegjëse se nuk ka rëndësi nëse viktima apo e mbijetuara kontakton së pari në urgjencë, denoncon rastin në polici, kontakton me mbrojtësin e viktimave apo kërkon ndihmë në një qendër të specializuar të shërbimeve për gratë e dhunuara.

Ai ka theksuar se e rëndësishme është që pavarësisht se cili institucion merr informacionin e parë për rastin, duhet të fillojë menjëherë trajtimi me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm dhe duhet të përmbushen të gjitha nevojat specifike të viktimave nëpërmjet qasjes shumë-sektoriale e të koordinuar.

“Shpeshherë në rastet e paraqitura institucionet nuk i kanë kryer e nuk i kanë zbatuar obligimet e tyre ligjore, duke i lënë viktimat pa trajtimin që u takon dhe që ato e meritojnë. E po ashtu, në raste të këtilla dhunuesit dhe abuzuesit nuk e kanë marrë dënimin e merituar”, ka deklaruar kryeministri.

Duke përmendur veprimet e ndërmarra nga Qeveria, ai veçoi ndryshmet ligjore në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.

Kryeministri Kurti ka theksuar ndryshimet në rastet kur një person shpallet fajtor për veprën penale të dhunës në familje apo të dhunës seksuale: do t’i ndalohet punësimi në institucionet publike; do t’i ndalohet kandidimi në pozita qoftë në nivel lokal apo qendror; do t’i merret leja e vozitjes; nuk do të zbatohen rrethanat lehtësuese për dhunuesit; trajtimi i këtyre lëndëve nuk do të zgjasë më shumë se një vit dhe emrat e dhunuesve do të publikohen ne faqen zyrtare të KGJK-së.

“Pas këtyre ndryshimeve ligjore, për ashpërsimin e dënimeve ndaj dhunuesve, zbatimi i këtij protokolli, do t’u dalë në ndihmë dhe mbrojtje viktimave”, theksoi kryeministri Kurti.

Kryeministri uroi që zbatimi i Protokollit të fillojë dhe të japë rezultatet e menjëhershme të trajtimit të viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tesla po tërheq 435.000 automjete në Kinë pasi prodhuesi amerikan…