Lansohet pulla postare “Pranvera shqiptare ‘81”

02 prill 2021 | 15:27

Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot ka emetuar pullën e personalizuar për shënimin e manifestimit “Pranvera shqiptare ‘81”, për nder të 40-vjetorit të organizimit të Demonstratave të studentëve shqiptarë të Kosovës.

Promovimi i kësaj pulle postare u bë sot përgjatë aktivitetit të organizuar nga Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës që shënuan 40-vjetorin e kësaj ngjarje historike, në amfiteatrin e kino ABC-së në Prishtinë, para ish të burgosurve politikë që ishin protagonistët e demonstratave të ’81-shës dhe pjesëmarrësve të tjerë.

Në fjalimin e tij, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, ka thënë se ndjehet i privilegjuar, por edhe i emocionuar para shumë “heronjve të gjallë”, si ci quajti ai protagonistët e demonstratave të 81-tës. “Ndjhemi i privilegjuar, por edhe i emocionuar të flas sot para heronjve të gjallë të Pranverës Shqiptare, ata sot janë këtu me ne. Me pullën Postare që simbolizon sakrificën tuaj jetësore, mburremi të gjithë në Postën e Kosovës. Jehona e Pranverës 1981 është e gjallë, ajo është kudo ku ka shqiptarë!”, u shpreh ai.

Përmes kësaj pulle postare, Posta e Kosovës nderon historinë moderne të Republikës së Kosovës, ngjarjen kulmore pas Luftës së Dytë Botërore, e cila ngriti studentët dhe popullin në demonstrata të përgjithshme, si përgjigje ndaj pushtetit komunist e shtypës të ish Jugosllavisë.

Demonstratat e studentëve, shpërthyen në mensën e ushqimit në Prishtinë, më 11 marsi 1981, të cilat morën karakter gjithë popullor në tërë Kosovën, ndërsa ato u shtypën brutalisht nga regjimi kriminel ish jugosllav dhe pasuan me burgosjen e studentëve organizatorë, disa profesorë e mijëra qytetarë të tjerë.

Populli i Kosovës do t’u mbetet përjetësisht mirënjohës plejadës së ish të burgosurve politik, të cilët me sakrificën e tyre, mbollën atdhedashurinë tek masat e gjera popullore liridashëse për të lindur më vonë në vitet e 90-ta, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari.

Në këtë ceremoni, Smakiqi falënderoi organizatorët nga Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës dhe në shenjë mirënjohje për kontributin e tyre, disa figurave eminente të Pranverës Shqiptare ’81, iu dhuroi pullën postare të punuar në bronz me imazhin dedikuar kësaj ngjarje historike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Mitrovicës ka vazhduar edhe të premten me realizimin…