Lansohet udhëzuesi për zhvillimin e kurrikulës së programeve për Universitetin e Prishtinës
Universiteti i Prishtinës nën përkrahjen e projektit Heras Plus ka bërë lansimin e udhëzuesit për zhvillimin e kurrikulës së programeve për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, udhëzues ky që mundëson krijimin e një kurrikule të mirëstrukturuar që fokusohet në të menduarit kritik, nxitjen e inovacionit dhe përgatitjen e studentëve për nevojat e tregut.
Në fjalën e tij, rektori i UP-së, Qerim Qerimi, ka theksuar rëndësinë e krijimit të dokumentacioneve të tilla që kontribuojnë në përsosmërinë akademike.
“Ky udhëzues nuk është thjesht një dokument, është një testament për vizionin tonë kolektiv. Një plan që fuqizon komunitetin tonë akademik të formësojë përvojat transformuese të të mësuarit”, ka thënë Qerimi.
Ndërsa udhëheqësi i ekipit në Heras Plus, Aqim Emurli, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me UP-në dhe përkushtimin që Heras ka në ofrimin e mbështetjes për sigurimin e cilësisë.
Prorektorja për Akreditim Cilësi të Mësimit dhe Çështje të Studentëve, Njomza Llullaku, ka theksuar se krijimi i udhëzuesve të tillë shërben në fuqizimin e stafit akademik dhe arritjen e cilësisë.
“Krijimi i udhëzuesit të tillë mundëson që të krijohen kurrikula dhe përvoja arsimore që tejkalojnë kufijtë tradicionalë, duke nxitur një kulturë përsosmërie dhe inovacioni. Udhëzuesi është dëshmi e përkushtimit tonë për të nxitur një përvojë arsimore që ushqen të menduarit kritik, kreativitetin dhe inovacionin”, ka thënë ajo.
UP-ja ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në krijimin e këtij udhëzuesi, me theks Zyrën për Zhvillim Akademik për punën dhe iniciativën, prodekanët dhe koordinatorët për zhvillim akademik.