Lansohet uebfaqja për raportimin e produkteve të rrezikshme
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala vëri në funksion uebfaqen për raportimin e produkteve të rrezikshme “Rapex Kosova”.
Shala ka thënë se është i kënaqur për nisjen e këtij projekti, i cili sistem mundëson njoftimin e shpejtë përmes uebfaqes për produktet që paraqesin rrezik serioz për konsumatorët e Republikës së Kosovës. “Për ne prioritet mbi prioritete është mbrojtja e konsumatorit dhe nga sot, me lansimin e kësaj faqeje, konsumatori ynë do të jetë më i mbrojtur, më i sigurt, në konsumimin e produkteve që tregtohen në vendin tonë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë vazhdon të jetë e përkushtuar dhe këmbëngulëse në realizimin e misionit të saj, kontrollin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit”, ka thënë ministri Shala.
Ai ka bërë me dije se gjatë vitit 2018 MTI-ja ka tërhequr nga tregu produkte të pasigurta në sasi prej 16.213.00 copë.
Prej tyre lodra për fëmijë (në sasi prej 15.077 copë) dhe pajisje elektrike (në sasi prej 1.135 copë). “Gjithashtu gjatë këtij viti Qeveria e Republikës së Kosovës në pajtim me obligimet ligjore që dalin nga Ligji për Kërkesat Teknike dhe Vlerësim të Konformitetit, ka themeluar Trupin Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut, e cila trup do të koordinojë aktivitetet për mbikëqyrjen e tregut me qëllim që produktet e vendosura në tregun e Republikës së Kosovës të jenë të sigurta për konsumatorët”, ka thënë Shala.
Ai ka theksuar se kjo faqe e internetit do të ndihmojë për t’u siguruar se publiku është i njoftuar për ekzistencën, përgjegjësit dhe identitetin e secilit autoritet kombëtar për mbikëqyrjen e tregut dhe se si mund të kontaktohet secili autoritet. “Dhe si rrjedhojë e kësaj Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me projektin e financuar nga BE-ja ‘Lëvizja e lirë e mallrave’ i ka hedhur hapat e saj në krijimin e sistemit ‘Rapex Kosova’, i cili sistem është në pajtim me praktikat më të mira të mbikëqyrjes së tregut, në këtë mënyrë zbatojmë një pjesë të MSA-së dhe përgatitemi për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në BE”, ka thënë ai.
Ndërsa kryeinspektori dhe, kryetar i Trupit Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut, Lulzim Syla, ka theksuar se qëllimi i uebfaqes është t’u ofrohet siguri konsumatorëve. “Përmes kësaj uebfaqeje synohet të ofrohet informacion publikut për autoritetet inspektuese që monitorojnë sigurinë e produkteve në treg dhe veçanërisht për raportimin e produkteve të rrezikshme jo-ushqimore që gjenden në tregun e Kosovës”, ka deklaruar Syla.
Shefi për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, ka pohuar e mbrojtja e konsumatorëve duhet të jetë detyrë parësore e institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar edhe nga konsumatorët që t’i kushtojnë rëndësi asaj që konsumojnë.
/Epoka e re/