Laporta: Messi e do Ligën e Kampionëve me Barçën
Kandidati për president i Barcelonës, Joan Laporta, kërkon që Leo Messi të jetë ende pjesë e katalanasve kur klubi të festojë 125 vjetorin e krijimit. Në një intervistë për “Goal”, ai shprehet se do të ndërtohet një “Camp Nou” i ri edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë. Laporta preku pak dhe temën e së ardhmes së 33-vjeçarit, i cili ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë.
“Do të doja të festonim 125 vjetorin e klubit në “Camp Nou” e ri si dhe me Leo Messin në ekip. Çështja e stadiumit nuk është e lehtë sepse duhet dy vite për ta ndërtuar atë. Çështja e Leos është më e lehtë se stadium. Ai dëshiron të fitojë Champions League përsëri me Barçën dhe ne duhet ta bëjmë atë të shikojë që kjo është e mundur”, deklaron spanjolli.
“Qëndrimi i Messit është shumë i rëndësishëm. Këtu kanë luajtur lojtarë të mëdhenj, por argjentinasi është i veçantë. Është më i mirë në botë dhe me siguri i gjithë historisë së futbollit. Ne duhet të bëjmë gjithçka që kjo harmoni të mos prishet. Nëse Leo largohet ne duhet ta pranojmë vendimin e tij dhe të bëjmë përpara. Messi ka ende një udhëtim të gjatë në elitën e futbollit, por një ditë karriera sportive mbaron”, përfundon Laporta.