Laporta në konferencë për medie, tregon pse u largua Messi
Joan Laporta ishte optimist gjatë gjithë kohës, por në fund nuk ia doli të rinovojë kontratën me Leo Messin. Ylli argjentinas i dha fund aventurës 17-vjeçare në “Camp Nou”, ndërsa presidenti i Barcelonës ka dalë në një konferencë për shtypin, aty ku flet rreth largimit të kapitenit argjentinas.
“Nuk dua të krijoj shpresa të rreme. Ajo që është e sigurt është se lojtari ka oferta të tjera. Koha ishte e limituar, si për ne dhe për Leon. Gjithçka tregon se ky ‘fair-play financiar’ do të vazhdojë të jetë aktiv. Do donim që epoka post-Messi të niste pas dy vitesh, jo tani. Ne të gjithë do donim të vazhdonim të shijonim magjitë e tij, por nuk ishte e mundur. Kontrata 5-vjeçare që i ofruam? LaLiga na sugjeroi bindshëm se kjo kontratë mund të pranohej, por pas një analize ata na treguan se nuk do të ishte e mundur”, ka thënë Laporta.
“Fatkeqësisht, ne kemi marrë një trashëgimi katastrofike: pagat e Barcelonës përfaqësojnë 110% të fitimeve të klubit. Rregulloret e LaLiga kalojnë përmes fair-play financiar që përcakton kufij. Kjo është arsyeja pse ne nuk ishim në gjendje respektoni marrëveshjen e dakorduar me Leo Messin. Për fat të mirë ne kemi një institucion 122-vjeçar që është mbi çdo lojtar, madje edhe lojtari më i mirë në botë. Ne do t’i jemi mirënjohës përjetësisht, por klubi është akoma gjëja më e rëndësishme te gjitha. Do vazhdojmë të fitojmë edhe pa Leon”, ka shtuar Laporta.