Laporta: Nuk do e ndryshoja asnjë lojtar të Barcelonës me ata të PSG-së
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur pak orë para ndeshjes së skuadrës së tij kundër PSG-së në “Parc des Princes”, e para çerekfinale e Ligës së Kampionëve.
“Kishim disa vite që nuk arrinim në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Shorti na vuri përballë PSG, me të vërtetë mezi presim t’i shkojmë në fund këtij dueli, duke besuar në mundësitë tona.
Ka një atmosferë të mrekullueshme, lojtarët janë shumë të motivuar. Është ajo lloj atmosfere që ju pëlqen ta përjetoni në botën e futbollit. Te Barça po e përjetojmë në maksimum raundin çerekfinal kundër PSG-së, të dyja klubet kanë gjithashtu një histori përballjesh sportive.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre çerekfinaleve, çfarë do të thonë për klubin, për ekipin. Synimi është të shkojmë në gjysmëfinale, skuadrën e shoh vërtet shumë të bashkuar. Gjithashtu e shoh trajnerin shumë të bindur për mundësitë tona”.
“Besoj shumë te lojtarët e Barcelonës, jam njëri prej tyre. Si president nuk do të ndryshoja (këmbeja) asnjë lojtar tonin me një të PSG”, tha Laporta.