Largimi i avokatit të Veselit, Berisha me kritika të ashpra ndaj qeverisë: S’është hera e parë që UÇK-ja po tradhtohet
Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka komentuar largimin e avokatit të Kadri Veseli, Ben Emmerson.
Ky i fundit dyshohet se është larguar për shkaqe financiare. Kjo ka bërë që Berisha të ashpërsojë gjuhen ndaj qeverisë Kurti.
Duke përmendur shpenzimet e mëdha të qeverisë për naftë, ai ka thënë se kjo qeveri qëllimshëm nuk ndan buxhet për mbrojtjen e liderëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.
“Brenda 3 viteve, Albini rreth 30 milionë euro i ka bërë ‘rrush e kumbulla’ për naftë duke u shëtitur me xhipa të zi nëpër Kosovë e 31 milion euro për ekskursione me aeroplan, kurse hienave të regjimit nuk ju pengon, ndërsa Kosova sipas logjikës së tyre të sëmurë qenka fikur që 4 milionë euro e paska paguar avokatin e Kadri Veselit! Ne e kuptojmë se Serbia në Kosovë ka lënë shumë mbeturina – ‘kopila’ që me kundërmimin e tyre po infektojnë edhe një pjesë të ‘miletit’, mirëpo nuk po i kuptoj disa të ashtuquajtur intelektualë që po bien viktima të propagandës që ju serviron regjimi përmes komiteteve të veta”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.
Sipas tij, kjo është një tradhti që po i bëhet UÇK-së.
“UÇK-së dhe njerëzit e saj nuk është hera e parë që po tradhtohen dhe po ju bie thikë pas shpine. Ajo është quajtur terroriste dhe dorë e zgjatur e Serbisë që në aksionet e para. ajo ka mbetur e vetmuar kur shumë ‘patriotë’ i kanë hekur mjekrat për së thati – pa sapun dhe janë veshur me ‘dimija’ e fustana të grave për me ikë në Stankovec-Bllacë, mirëpo asnjëherë nuk është dorëzuar. Edhe kësaj radhe nuk do të dorëzohet”, ka shkruar Berisha.