Largimi i gazetarëve nga mbledhja e Komisionit për Media, reagon AGK-ja
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes një komunikate për media ka theksuar se ka marrë me shqetësim njoftimin nga gazetarët për largimin pa arsye nga mbledhja e Komisionit Parlamentar për Media, ku Bordi i Radio Televizionit të Kosovës raportoi lidhur me anulimin e konkursit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së.
Gazetarët kanë njoftuar se kryetari i këtij Komisioni, Nait Hasani, e ka mbyllur takimin pa u dhënë sqarim mediave, madje pa e vënë në votim vendimin e tij.
“Për AGK-në, ky fakt paraqet censurë e cila ndikon drejtpërdrejtë në punën e mediave, duke u shkaktuar pengesë në marrjen e informacioneve. Një gjë e tillë është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, me të cilët përcaktohet qartë se kur një komision mund të mbyllet për publikun”.
“Kujtojmë se diskutimi për transmetuesin publik paraqet interes të veçantë për të gjithë qytetarët dhe gazetarët në përgjithësi, kur dihet se RTK-ja financohet nga paratë e tatimpaguesve të Kosovës”.
Në reagim thuhet se “AGK mbështet fuqishëm punën profesionale të të gjitha institucioneve dhe beson në parimet bazë të profesionit, po ashtu angazhohet për një ambient të favorshëm dhe të sigurt për gazetarët në ushtrimin e punës profesionale”.
Sipas tyre, kjo nuk është hera e parë që ky komision mbyllet për media kur diskuton për çështjet e televizionit publik të Kosovës.
/Epoka e re/