Largimi i trupave ushtarake nga Kosova, flet komandanti i ‘Bondsteel’-it
Komandanti i bazës ushtarake amerikane “Bondsteel” në Kosovë, kolonel Roj Makareg, ka deklaruar se vendimi për tërheqjen eventuale të trupave ushtarake të ShBA-së nga Kosova, si pasojë e taksës 100 për qind ndaj Serbisë, “do të merret në nivelin politik”.
“Ambasada Amerikane në Prishtinë ka thënë qartë qëndrimin tonë kombëtar. Ne, si KFOR, mbetemi të përkushtuar ndaj misionit tonë të caktuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Makaregi, shkruan “Tanjug”, transmeton “Klan Kosova”.
Ai ka mohuar mundësinë e zhvendosjes së “Bondsteel”-it në pjesën veriore.
“Ekziston tashmë një bazë e KFOR-it në veri të Kosovës, kampi ‘Notting Hill’ dhe nuk ka asnjë plan për të ndërtuar një bazë të re”, ka deklaruar Makaregi .
Ky kamp qysh nga e enjtja është bërë temë e nxehtë e debatit politik në Kosovë. “Klan Kosova” pati raportuar se dy diplomatët John Erath dhe Bred Berkley, kur listuan sanksionet e mundshme, për mos dëgjueshmëri politike në rastin e mos-suspendimit të taksës, kanë thënë se mund të ketë edhe tërheqje të trupave amerikane që më në numër janë në kampin ushtarak.