Largohen barrikadat, hapen për qarkullim pikat kufitare në Merdarë e Bërnjak
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se pikat kufitare në Merdarë e Bërnjak janë hapur për qarkullim.
Svçla tha se hapja e tyre është bërë pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak. Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë”, ka shkruar Sveçla.
Përfaqësues nga disa shoqata serbe i bllokuan të premten rrugët dhe i kthyen mbrapsht vetëm udhëtarët me dokumente kosovare në pjesën serbe pranë pikave kufitare me Kosovën, në shenjë proteste kundër veprimeve të fundit të autoriteteve kosovare në veriun e banuar me shumicë serbe.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka akuzuar Policinë e Serbisë së para syve të tyre po lejojnë që grupet të ekstremistëve të bllokojnë kalimet në pikat kufitare me Serbinë.
Ai ka njoftuar se një familje kosovare që po udhëtonte drejt Gjermanisë i është pamundësuar vazhdim i udhëtimit dhe janë kthyer prapa me forcë.
“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët. Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.”, ka shkruar Sveçla.
Sipas tij, kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, “fakt ky që e bën atë bashkë fajtore”.