Largohen investitorët anglezë nga KF Ferizaj
KF Ferizaj ka mbetur në “udhëkryq” pasi investitorët anglezë janë larguar por ende nuk e kanë bërë edhe zyrtarisht.
“Insporti” një javë më parë raportoi ekskluzivisht se Brian Deane së bashku me grupin e tij janë larguar pa paralajmërim dhe se ende nuk kanë dërguar ndonjë sqarim. Këtë e ka konfirmuar edhe zyrtari i klubit, Mustafë Grainca i cili për “Insportin” deklaroi se lajmi është i vërtetë për largimin e anglezëve. “Atë që e kam kuptuar unë, mendoj që po janë larguar. E kanë humbur interesimin, nuk e di pse. Definitivisht ende nuk janë larguar, pasi klubi është shoqëri aksionare, duhet të ndërrohet statusi i klubit, presim deklaratë përfundimtare prej tyre që të heqin dorë. Realisht 90 për qind janë larguar”.
Klubi i Ferizajt më shtatë korrik të këtij viti kishte kaluar në procesin e privatizimit. Vetëm pesë muaj më vonë klubi ka mbetur përsëri në udhëkryq.