Largohen panotë reklamuese pa leje në Mitrovicë

10 maj 2019 | 15:26

Me kërkesë të Drejtorisë për Planifikim dhe Urbanizëm, të premten inspektorët komunal kanë ndërmarrë aksionin për heqjen e panove reklamuese, tabelave për njoftime afariste, si dhe dekoreve e reklamacioneve të ndryshme të vendosura në shtylla e hapësira të tjera publike, pa lejen adekuate nga autoritetet komunale.

Deri më tani janë hequr materiale në afërsi të urës së Ibrit, bankës “TEB”, tek xhamia “Isa Beg”, në afërsi të kompanisë “Ipko”,  mbi “Urën e Gjakut” si dhe në disa segmente të tjera. “Ky aksion do të vazhdojë edhe në lokacione të tjera brenda territorit të komunës së Mitrovicës. Këto veprime janë ndërmarr me qëllim të lirimit të hapësirave publike, gjegjësisht heqjen e shtandeve (tezgave), reklamacioneve të ndryshme si dhe materialeve të tjera të vendosura pa leje adekuate të cilat pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve”, është thënë në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Kompania “Lirigzoni”, është e kontraktuar nga komuna për heqjen e panove reklamuese, ndërsa  monitorimin e zbatimit të këtij vendimi po e bëjnë inspektorati komunal dhe Drejtoria e Urbanizmit.

Komuna e Mitrovicës u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve afariste dhe qytetarëve të interesuar që të aplikojnë për lejen përkatëse për vendosjen e materialeve të tilla, në bazë të kushteve të planifikimit urban,  gjithmonë në interes të qarkullimit të lirë të qytetarëve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, të…