Largohet me forcë nga tubimi i mbijetuari i masakrës së Dubravës (Video)
Në 20-vjetorin e masakrës që forcat serbe kanë orkestruar ndaj të burgosurve në burgun e Dubravës, të mërkurën ka eskaluar situata, kur ish-i mbijetuari i kësaj masakre, Shefqet Kabashi ka dalë para të pranishmëve dhe iu drejtua krerëve të institucioneve se ata nuk meritojnë të jenë prezent në këtë manifestim.
Derisa moderatorja e programit mundohej ta mbajë situatën nën kontroll, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu drejtua disa ish të mbijetuarve të masakrës së Dubravës, duke i përmendur edhe me e disa zyrtarëve ( Hajredin Kuçi, Nait Hasani, Najzi Kryeziu…) të cilët sipas tij e kanë quajtur tradhtar.
Ndërsa, drejtori i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi, i cili ka tentuar ta pengojë Kabashin madje me forcë është munduar ta largojë, duke i thënë se ka kush vendos rend këtu.
E duke u larguar nga ambientet e burgut të Dubravës, Kabashi i shoqëruar nga policët me zë të lartë thoshte se ‘ju na keni bërë më zi se serbët’.
Të pranishëm në këtë manifestim ku po përkujtoheshin të rënët e masakrës në burgun e Dubravës ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe shumë ish-të mbijetuar të kësaj masakre, të cilët kërkuan që ata që e kryen këtë krimi të dënohet pasi autorët e kësaj masakra thanë se dihen.
Në masakrën e Dubravës, nga data 19 maj e deri 24 maj 1999, u vranë mbi 160 të burgosur ndërsa masakrës i mbijetuan mbi 300 të tjerë.
Ndryshe, Shefqet Kabashi ishte dëshmitari kryesor në procesin gjyqësor kundër kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili nga Gjykata e Hagës ishte dënuar me dy muaj heqje lirie për “refuzim të qëllimshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve”.
Kabashi kishte refuzuar të dëshmojë kundër Haradinajt në procesin e kaluar gjyqësor, kur kryeministri i Kosovës u shpall i pafajshëm. /KosovaPress/