Lasgushi dhe qarku kulturor i Prishtinës
Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti dhe Ramadan Musliu, janë tre shkrimtarët më meritorë, që kanë shkruar dhe pafundësisht janë kujdesur në Kosovë për krijimtarinë e bardit të poezisë shqiptare, Lasgush Poradeci.
Këta tre shkrimtarë, që i përkasin qarkut kulturor të Prishtinës, janë më meritorët për faktin se krahu i socrealistëve, që në Kosovë nuk ishte i vogël, e ka bojkotuar në heshtje Lasgushin dhe këtë e ka bërë në kontinuitet dhe me dekada.
Kur shkrimtari dhe studiuesi Sabri Hamiti në fund të viteve shtatëdhjetë e pati përgatitur vëllimin e plotë poetik të Lasgushit me titull “Vdekja e Nositit”, i botuar me shkronja të arta nga ndërmarrja botuese “Rilindja” në Prishtinë, thuhet se kur Lasgushi pranoi librin në Tiranë, është mrekulluar aq shumë dhe librin e përkëdhelte si foshnjën, pasi nuk kishte besuar se një libër aq i bukur mund të shtypej në Kosovë!
Këtë postim simbolik e bëj me rastin e 34 vjetorit të shuarjes së bardit të poezisë shqiptare, Lasgush Poradeci.
Sot e tridhjetekatër vjet më parë, isha student dhe ndiqja kurset e letërsisë. Ditën kur Lasgushi ndërroi jetë, nuk do ta harroj kurrë. Ishte muaji nëntor, por dita ishte me diell si sot dhe lajmin për shuarjen e Poradecit e pata kuptuar përmes gazetës së përditshme “Rilindja”, e cila nuk ekziston më!