Latifi, Abazoviçit: Të jesh kundër nacionalizmit dhe të nënshkruash marrëveshje me Kishën Serbe është kontradiktë
Të thuash se je kundër nacionalizmit dhe të nënshkruash një kontratë e cila për qëllim ka njohjen ligjore të interesave hegjemoniste të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, sipas filozofit dhe profesorit universitar Blerim Latifi, është kundërthënëse.
Kjo pasi kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, miratoi draft-kontratën për të ashtuquajturën Marrëveshje Themeltare mes Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, gjë nga e cila edhe pësoi humbjen e mbështetjes së plot 29 deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve, parti kjo që udhëhiqet nga Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç dhe është formacioni më i madh partiak parlamentar.
Abazoviç tha se e “mirëpret” vendimin e DPS-së, por se u shpreh se “krimi, korrupsioni dhe nacionalizmi nuk janë opsione”, e citoi Latifi.
“Çfarë kontradikte: këndej thotë se është kundër nacionalizmit, andej nënshkruan marrëveshje që njeh interesat hegjemoniste në Mal të Zi të Kishës Ortodokse Serbe, e cila, parasegjithash, është institucion i nacionalizmit serb. Madje i formës më të keqe të tij”, shkroi filozofi Blerim Latifi.
Partia e Millo Gjukanoviç i tërhoqi mbështetjen qeverisë së pakicës së Abazoviç, për të cilin kanë argumentuar se mbështetja në rend të parë i është dhënë për të shtyrë para agjendën evropiane dhe jo tema të cilat në gjenezë “krijojnë përçarje shoqërore” dhe për të cilën kërkohet mandat i fuqishëm politik, siç është ajo e marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe ose iniciativa rajonale e Ballkanit të Hapur.